Deputetja britanike, Alicia Kearns po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë. Ajo sot ka parë nga afër armatimin e konfiskuar nga Policia e Kosovës pas sulmit në Banjskë të Zvecanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Kështu njoftoi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Kisha kënaqësinë që së bashku me Policinë e Kosovës të presim deputeten e nderuar dhe kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alicia Kearns. Së bashku me znj. Kearns vizituam dhe pamë nga afër armatimin e konfiskuar pas aktit terrorist të tentim-aneksimit të veriut të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Ministri Sveçla falënderoi deputeten për rastin e deklarimit që objektet fetare dhe autoambulancat në veri të Republikës së Kosovës po përdoreshin për transport dhe vendstrehim të armatimit nga strukturat kriminale.
“Pak kush ka mbajtur një qëndrim kaq të fort dhe të drejtë në këto kohë si Alicia Kearns, andaj i jemi mirënjohës për rolin e saj në mbrojtje të së drejtës dhe të së vërtetës”, ka shkruar Sveçla.