Sot zhvillohet derbi i Anamoravës mes Dritës dhe Gjilanit, duel i vlefshëm për xhiron e 37-të të Superligës së Kosovës.
Drita tashmë e ka siguruar titullin e kampionit tri xhiro para përfundimit të kampionatit dhe në këtë përballje hyn pa presion rezultati, duke luajtur për prestigj para tifozëve të saj.
Në anën tjetër, Gjilani e ka komplikuar situatën pas humbjes në xhiron e kaluar si vendas ndaj Llapit. Kuqebardhët sot përballen me rivalin lokal në një ndeshje me shumë peshë, duke synuar tri pikë të mëdha për t’iu larguar zonës së barazhit.
Pas përfundimit të takimit, Drita do ta ngrejë trofeun e kampionit të pestin në historinë e klubit. Më pas, festa do të vazhdojë me tifozët nga ora 21:00 para teatrit të qytetit.
Ndeshja mes Dritës dhe Gjilanit zhvillohet nga ora 16:00 në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.

