Sot nga ora 16:00, futbolli kosovar sjell një tjetër kapitull të zjarrtë të rivalitetit më të madh në vend, ndërmjet FC Drita dhe SC Gjilani. Një përballje që gjithmonë ka prodhuar emocione, tension dhe spektakël, por kësaj radhe derbi vjen me peshë edhe më të madhe për të dy skuadrat.
Drita hyn në këtë sfidë si kampione e Kosovës, me synimin që festën e titullit ta bëjë edhe më të ëmbël pikërisht ndaj rivalit të përbetuar. Bardhekaltërit kërkojnë revansh dhe dominim në derbin që historikisht ka ndarë qytetin e Gjilanit në dy kampe.
Në anën tjetër, Gjilani zbret në fushë me presionin maksimal, pasi çdo pikë në këtë takim mund të jetë vendimtare për t’i shpëtuar zonës së barazhit. Kuqebardhët kërkojnë krenari, reagim dhe rezultat pozitiv në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit për ta.
Një duel që nuk matet vetëm me pikë, por edhe me histori, statistika dhe rivalitet. Atmosfera pritet të jetë elektrizuese, ndërsa tifozët do të jenë një tjetër faktor i madh në tribunat e stadiumit.
Sot, Gjilani nuk ndalet. Sot luhet derbi.

