Një sukses i veçantë përfaqëson edhe Gjilanin në mesin e arritjeve të kadetëve kosovarë në fushën e edukimit dhe përgatitjes ushtarake.
Në ceremoninë e diplomimit të organizuar në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, kanë përfunduar me sukses studimet pesë kadetë nga Kosova. Në mesin e tyre është edhe Elmë Ramadani nga Gjilani, e cila ka përmbyllur një program pesëvjeçar të formimit akademik dhe ushtarak.
Pas përfundimit të studimeve, Ramadani është graduar me gradën nëntogere dhe tashmë do të vazhdojë angazhimin e saj profesional në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Përfundimi i këtij formimi në një prej institucioneve të rëndësishme ushtarake të Turqisë përbën një arritje të rëndësishme për Ramadanin, duke dëshmuar përkushtimin dhe disiplinën e treguar gjatë viteve të studimit dhe përgatitjes profesionale.
Me rikthimin në Kosovë, ajo i bashkohet gjeneratës së re të oficerëve të FSK-së, duke nisur një fazë të re të karrierës në shërbim të vendit.
Diplomimi i Elmë Ramadanit është një tjetër shembull i suksesit të të rinjve nga Gjilani dhe Kosovës në institucionet prestigjioze ndërkombëtare.









