FC Drita ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit me kryetrajnerin Zekirija Ramadani, duke i dhënë fund një periudhe më shumë se dyvjeçare e gjysmë të mbushur me suksese dhe rezultate historike.
Përmes një njoftimi, klubi bardhekaltër ka shprehur mirënjohje të veçantë për kontributin e Ramadanit, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tij në arritjen e titujve kampion dhe paraqitjeve të suksesshme në arenën ndërkombëtare.
Drejtuesit e klubit theksojnë se bashkëpunimi me Ramadanin do të mbetet një kapitull i rëndësishëm në historinë e FC Dritës, ndërsa nuk e përjashtojnë mundësinë që rrugët e tyre të kryqëzohen sërish në të ardhmen.
Njoftimi i plotë i FC Dritës:
Ndërprejmë bashkëpunimin me kryetrajnerin Zekirija Ramadani.
Klubi ynë shpreh mirënjohjen më të thellë për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë më shumë se dy vjetëve e gjysmë me trajnerin Ramadani.
Bashkëpunimi ynë ishte i jashtëzakonshëm dhe sukseset që arritëm së bashku do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së klubit tonë. Titujt kampion dhe arritjet e jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare janë dëshmi e punës kolosale që kemi bërë së bashku.
FC Drita e falënderon Zekën për gjithçka që ka dhënë për klubin tonë, duke besuar se rrugët që ndërtuam së bashku mund të na bashkojnë sërish në një moment tjetër.
Suksese dhe paç fat, Zeko!

