Një person 38-vjeçar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në qytetin e Gjilanit shkruan Radio Star.
Fillimisht, rasti kishte ngritur dyshime për një vdekje të dyshimtë, ndërsa nga hetimet e deritanishme të Policisë së Kosovës nuk janë evidentuar elemente të veprës penale të vrasjes. Sipas informacioneve të para, dyshohet se viktima mund të ketë vdekur si pasojë e mbidozës, mirëpo shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas obduksionit.
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 23 korrik 2026, rreth orës 18:26, ka pranuar informacionin se në një banesë në Gjilan është gjetur pa shenja jete një person mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, i lindur në vitin 1988.
Njësitet relevante policore, së bashku me Prokurorin e Shtetit dhe ekipin emergjent, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se personi ishte pa shenja jete.
“Bazuar në hetimet e deritanishme nuk ka dyshime për elemente të veprës penale të vrasjes”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Hetimet për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar nga hetuesit policorë të Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit./radiostargjilan/

