Shkruan: Mr. sc. Aliriza Selmani
Lagjja “ Derëmëhallë “ 1 shtrihej në pjesën jugore të qytetit të Gjilanit duke filluar nga qendra- rruga kryesore për të shkuar deri te arat e qytetit. Në lindje kufizohej me lumin “ Dobrusha “, dhe lagjen e bejlerëve, kurse në perëdim me varrezat e herëshme myslimane të qytetit dhe lagjen e romëve, meqë ndodhej në pjesën më të ulët të qytetit, kjo lagje shpesh përmbytej nga vërshimet e “Dobrushës” dhe të përrockës që vinte nga ish- tregu i kafshëve dhe lagjeja e romëve.
Në mes të lagjes gjendet Xhamia e vogël, e ndërtuar nga banorët shqiptarë të lagjes më 1905. Në pjesën e poshtme të lagjes, mes dy rrugëve ndodhej centrali elektrik (termocentrali) me kapacitet të vogël dhe ngjitur me të edhe mulliri elektrik, të ndërtuar viteve të 30-ta të shekullit XX. Ndërkaq më poshtë, në arat e kësaj lagjeje ndodhej thertorja e qytetit , kurse pak më poshtë mulliri me ujë ,,Mulliri i Arapit ” .
,,Derëmëhallë ” ishte lagje relativisht e re e qytetit të Gjilanit, e cila kishte filluar të themelohet nga gjysma e dytë e shekullit XIX, nga banorët shqiptar të fshatrave të rrethinës dhe nga disa familje muhaxhere të shpërngulura me dhunë nga Sanxhaku I Nishit, pas luftës ruso – osmane 1977-1978, të cilat pas shumë bredhjeve në viset e rrethinës kishin zënë vend në këtë lagje të qytetit. Disa nga këto familje edhe tani mbajnë mbiemrat e fshatrave prej nga ishin shpërngulur, si Oranët, Sllamnikët, Tupallët, Rukocët, Rafunët etj .
Si filloi aktivizimi i elementeve shoveniste proçetnike
Pos banorëve shqiptarë në këtë lagje ishin të vendosur edhe një numër i familjeve sërbë e malazezë, shumica kolonistë të ardhur midis dy luftërave botërore dhe të vendosura kryesisht në në shtëpitë e shqiptarve të shpërngulur për Turqi e vende të tjera .
Përnga profesioni banorët shqiptar të kësaj lagjeje ashtu si edhe të lagjeve tjera të qytetit ishin heterogjenë. Shumica e familjeve mirreshin me bujqësi e blegtori, por kishte edhe zejtarë e tregtarë, kishte edhe familje të varfëra që e siguronon ekzistencën duke punuar si punëtor krahu, ose si bari etj. Ajo çka e dallon këtë lagje nga lagjet tjera të Gjilan, këtu ishte një numër jo i vogë i intelektualëve fetarë e laik nga tëtë cilët dolën veprimtarë të dalluar, të cilët kanë zënë vend meritor në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar si: Mulla Idrizi Hajrullahu, Esat berisha, Halim Orana, Hamdi Berisha etj. Kjo bëri që kjo lagje të binte në sy shovinistëve serbo-malazez të lagjes, qytetit dhe rrethinës, të cilëve kur iu erdhi momenti bënë masakrën më të ashpër ndaj banorëve shqiptar të kësaj lagjeje dhe krahasuar me lagjet tjera të qytetit, por edhe të fshatrave të rrethinës, kjo lagje mban rekord të zi për golgotën që kanë përjetuar në ditët e fundit të të vitit 1944 dhe në ditët e para të vitit 1945 .
Kështu bazuar në dëshmitë e shumta të dëshmtarëve të kohës, banorë të kësaj lagjeje e të tjerë, përjetues të tmerreve dhe të dhënave të pakta dokumentare, shihet se nga rreth 40 shtëpitë shqiptare të kësaj lagjeje ,pati 33 shqiptarë të likuiduar në mënyra të ndryshme dhe moshash të ndryshme (16-62 vjeqare ).
Menjëherë pas hyrjes në Gjilan të brigadave partizane – serbo-bullgare, më 16 nëntor 1944, si dhe konsolidimit të pushtetit ushtarak e policor komunist, filloi aktivizimi i elementeve shoveniste proçetnike serbo-malazeze e maqedone , të cilët filluan arrestimet pa argumente të njerëzve e sidomos zgjedheshin intelektualët e patriotët më të shquar të qytetit e të rethinës dhe shpejtë u mbushën burgjet përplot shqiptarë, të cilë likuiduan pa gjyq .
Si u likuiduan disa veprimtarë dhe patriotë të dalluar
Gjatë ditëve pasuese nga lagjeja ,, Deremëhallë” e Gjilanit u morën për t’u likuiduar disa veprimtarë e patriotë të dalluar si:
-Ibrahim Orana , tregtar i moshës rrethë 54 vjeqar, njeri me autoritet në Gjilan e rrethinë , arkëtar i Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare të kufirit në Kosovës Lindore . Vetitë e tij patriotike dhe arsimdashëse i kishte përcjellur edhe te pasardhësit (la pas pesë djem),të cilët gjatë jetës dëshmuan porositë dhe veprën e babait .
-Shaban Sllamniku ,tregtar iI moshës 56 vjeqar , kryeplak i lagjes dhe aktivist , organizator në mobilizimin e rinisë shqiptare në mbrojtjen e kufirit të Kosovës Lindore. Ka lënë pas gruan dhe një djalë .
-Xhemail Osmani (Tupalla) ,i moshës 25 vjeqare, aktivist i dalluar në luftë për Shqipërinë etnike , rridhte nga një familje patriotike,ishte ndër të pushkatuarit e parë në Gjilan më 20 nëntor 1944 ,në mënyrë publike si ,,armiku i popullit ” . Për këtë të ri bashkëkohanikët thon se ishte patriot dhe trim , i cili nuk i trembej aspak vdekjes , gjatë përcjelljes përmes qytetit , për në vendin e ekzekutimit, ai këndonte këngë patriotike dhe i fyente xhelatët :
– Alush Rexhepi –Nallbani i moshës 30 vjeqare oficer (rreshter ) i Nënprefekturës së Gjilanit , bashkëpunëtor politik e ushtarak i Mulla Idriz Hajrullahut . Që nga viti 1940 Alushi ishte angazhuar në lëvizjen përparimtare duke qenë në lidje me Kurtesh Agushin , Esat Berishën ,Shaip Mustafën etj. Është dalluar në aktivitetin e tij me rininë shkollore të gjimnazit dhe shkollave tjera të Anamoravës ,ishte lojtar në klubin futbollistik ,,Bashkimi”. Është likuiduar në fund të muajit nëntor ose në fillim të dhjetorit 1944 , ka lënë pas gruan me tre djem.
– Esat Berisha, i moshës 31 vjeqare, avokat , gjatë Luftës së Dytë Botërore punoi në Gjyqin Paqëtues për Nënprefekturën e Gjilanit .Gjat kësaj kohe ishte veprimtar i dalluar për çështje të konsolidimit të shtetit shqiptar dhe të përfshirjes së të gjitha trojeve etnike brenda kufijve të Shqipërisë. Në kuvendin themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, më 16-19 shtator 1943 , në Prizren u zgjodhë anëtar i Komitetit Qendror dhe mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Tiranës në tetor më 1943. Esat Berisha edhe pse i rrezikuar nuk deshi të largohej nga Kosova , kurse organet e OZN-ës e arrestojnë dhe e masakrojnë gjatë natës së 18-19 dhjetorit më 1944 . Ishte i pamartuar.
– Feriz Sali Berisha i njohur si Feriz Llashtica , i moshës 53 vjeqare për një kohë banorë i kësaj lagjeje të qytetit , para Luftës së Dytë Botërore ishte ndër krerët e njohur të Anamoravës, kurse gjatë luftës anëtar i Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës Lindore, është dalluar në luftë e sidomos në luftimet afër Bujanocit në tetor të viti 1944. Pas “çlirimit” të Gjilanit më 16 nëntor 1944, partizano-çetnikët ia morën djalin më të madh, Vehbiun 24 vjeçar dhe ia pushkatojnë pa kurrrfar arsye, kurse pas një jave e kapin edhe Ferizin në qendër të Gjilanit deris aishte duke u kthyer nga spitali, ku ishte për vizitë një kushëriri të plagosur. Sipa rrëfimit të djalit të Ferizit, Faikut (63), pas gjashtë ditësh të mbajtur në burgun e Gjilanit, Feriz Llashticën si bashkëpuntor të okupatorit dhe ithtar të “Shqipërisë së Madhe” si dhe të regjimit të mëparshëm, ia konfiskoi tërë pasurinë (tokë e shtëpi), andaj familja e mbetur e Ferizit, dy gra me dhjetë fëmijë (shtatë djem e tri vajza), të nbetura pa asfar kushtesh për ekzistencë, si dhe të maltretuar vazhdimisht, janë detyrar të largohen nga Kosova për të jetuar 12 vjet rresht në Bosnjë, Vojvodinë e vende të tjera, kurse pas kësaj kohe kthehen në fshatin Llashticë ku jetojnë edhe sot.
Masakrat, krimet e gjenocidi, që nuk pushonin nga pushteti dhe njësitë partizane sërbo – maqedonase, që ishin në këtë anë ,shtynë forcat nacionaliste anti komuniste e demokratike, që të formojnë shtabin e rezistencës, në krye me Mulla Idriz Hajrullahun dhe në mëngjesin e 23 dhjetorin 1944 (e shtunë) hynë në qytetin e Gjilanit për ta çliruar .Mirëpo për shkak të ardhjes së forcave të mëdha ushtarake nga Prishtina e Ferizaj, por edhe për të kursyer popullsinë, luftëtarët e Mulla Idrizit u tërhoqën po atë ditë, nga qyteti. Pas tërheqjes së forcave shqiptare partizanët e Brigadës së 17 maqedonase , pjestarët e OZN- ës dhe grupet shoviniste e çetnike sërbo-malazeze paramilitare depërtuan në qytetin e pa mbrojtur dhe për disa ditë rresht i patën duart e lira, që të vrisnin kë të donin, prandaj edhe filluan plojën dhe masakrat e papara mbi shqiptarët e pa mbrojtur të Gjilanit e të rrethinës, duke mos kursyer as gratë, fëmijët e pleqtë. Organet ushtarake e policore kishin urdhëruar, që asnjë shqiptar të mos e lëshojë qytetin e as të hyjë në të dhe as një derë oborri nuk guxonte të mbyllej as ditën as natën .
Bashkëkohanikët dhe dëshmitarët rrëfejnë për ato ditë tmerri , që vështirë mund të përshkruhen. Është bërë plojë e paparë, njerëzit vriteshin në prag të shtëpisë ,rrugë , mirreshin nga shtëpitë pa u pyetur fare , si në qytet ashtu edhe në fshatra ,të zbathur e të zdeshur dhe dërgoheshin në burg duke u rrahur e më pastaj pushkatoheshin gjatë natës në përcjellje të daulleve, por edhe thereshin në mënyra të ndryshme. Rrugët e qytetit ishin të mbushura përplot me kufoma të shqiptarëve të Gjilanit e të rrethinës dhe askush nuk guxonte t’i merrte për t’i varrosur, dhe vetëm pas disa ditësh me urdhër të pushtetit vendr , të vrarët i bartnin me qerre kafshësh, por edhe me kamion ushtarak dhe i fusnin në gropa të përbashkëta në periferi të qytetit.Të dhënat e kohës flasin për dhjetëra e qindra të likuiduar mbrenda një nate të cilëve as varret nuk iu dihen .
Pë plojën dhe masakrën e Gjilanit kanë mbetur edhe shumë dëshmi të shkruara në formë kujtimesh nga ushtarë e ushtarakë, të cilët me njësitë e tyre partizane ndodheshin në Gjilan, midis të cilëve po veçojmë dëshimitë e shkruara nga komandanti i i Brigadës së VII- të Kosovës Shaban Haxhija , i cili posa mori urdhërinë nga Shtabi Operativ i Kosovës u nis me Batalionin e dytë të kësaj Brigade për Gjilan, ku gjendja ishte tepër e acaruar. Posa erdhi (24 dhjetor ) u tmerrua duke i parë të gjitha ato skena trishtuese të shqiptarëve të vrarë e të masakruar rrugëve të qytetit dhe në burgun e Gjilanit ai bënë fjalë për 150 shqiptarët e pafajshëm të cilët i kishte liruar, ku pos tjerash thotë : ’’ Në orën 9 të natës ,kur dola nga mbledhja, gjeta 150 shqiptarë nga katundet e afërta të Gjilanit , të cilët ishin të lidhur dy nga dy dhe po i shoqëronte një tog partizanësh maqedonas për t’i dërguar në burg gjoja si fajtor dhe shkaktarë të luftës së Gjilanit. Këta ishin mbledhur nëpër katund pa asnjë dallim. Këta katundarë ishin shumica në brekë, sepse nuk i kishin lënë as me u veshë, kurse disa dhe të zbathur fare, megjithëse bora ishte deri në gju dhe këmbët u pikonin gjak. Në këtë moment u revoltova aq shumë sa humba gjykimin dhe fola shumë ashpër kundër shoqëruesve dhe atyre që kishin dhënë urdhër për arrestimin e tyre dhe kërkova menjëherë lirimin e tyre … dhe i shoqërova me një tog partizanësh shqiptarë për në shtëpitë e tyre.
Masakra e llahtarshme në burgun e Gjilanit
Më tutje Shaban Haxhija bënë fjalë për pengesat që kishte hasur gjatë përpjekjeve të tij për të marrë lidhjen telegrafike me Shtabin Operativ të Kosovës në Prishtinë , si dhe për pengesat që të hynte në burgun e Gjilanit, ku pos tjerash thotë: ,,Siç u provua më vonë unë nuk kisha lejuar të hyja në burg, që forcat e burgut të kishin mundësi dhe kohë të largonin kufomat e mbytura me sopatë. Kështu kur hyra në mëngjesë shihej gjaku i madh i mbetur në bore në shumë vende. Sapo hyra brenda të burgosurit ishin shumë të shqetësuar dhe qëndronin në këmbë dhe duke u dridhur, pasi pritnin fatin e atyre të tjerëve të likuiduar më parë. Në fytyrat e tyre të tmerruara dhe të frikësuara kuptova se në burg gjatë natës ishte bërë një masakër e llahtarëshme …
Afër meje qëndronte një plak 65 vjeqar të cilit iu ktheva e i thashë: po edhe ti mixhok po lufton kundër djemëve tu… pa mbaruar unë, plaku megjithë forcën e tij thirri : -Ti e ke kallaj se ke fjetë në dyshek dhe nuk i ke pa djemtë e nënave duke i pre si derrat nga kasapi, nga partizanët tuaj dhe mandej qiteshin në oborr dhe sipas qejfit të tyre i mbytnin me sakica. Unë si plak kam vuajt tanë natën duke pritur radhën kur po më ë. Shaban Haxhija arriti shumë shpejtë ta kuptonte se autori i skenarit dhe realizues i të gjitha masakrave në Gjilan ishte sekretari i Komitetit të Rrethit për Gjilan, Vllado Popoviq sipas porosive të mara nga lart. Në Gjilan e Rrethinë edhe tani ekziston bindja se ardhja e Shaban Haxhisë me forcat e tij partizane ua kishte ndalur hovin masakrave serbe edhe më të mëdha në këtë anë. Mirëpo duke e parë se qëndrimi i mëtutjeshëm i Shaban Haxhisë në Gjilan do të jetë pengesë e realizimit të qëllimeve gjenocidiale serb ndaj shqiptarëve të këtyre anëve, Shtabi Operativ i Kosovës në marrëveshje me pushtetin lokal në Gjilan urdhëroi Shaban Haxhinë, që urgjentisht me forcat e tij ta lëshonte Gjilanin.
Skenat trishtues të atyre ditëve në Gjilan kanë mundur të linin mbresë te çdo njeri me pak veti humane, andaj e shohim të rrugës që ta zëmë në gojë rastin e një femre serbe të Gjilanit, mjekes Anxha Todoroviq, e cila në momentin kur e kishte parë podrumin e burgut (shtëpi e cila më pare ishte prone e tyre ) me gjak ,,deri në gju”dhe trupat e shqiptarëve të coptuar,e tmerruar nga ajo skenë trishtuese kishte fyer njerëzit e OZN-ës m e fjalët më të rënda. Ajo, ndër të tjera, iu kishte thenë :’’ As ndaj shtazëve nuk guxon të veprohet kështu…”. Nga ai moment ajo kishte marrë trauma psikike me pasoja fatale dhe pas pak ditësh kishte vdekur .
Numri i të vrarëve e të masakruarëve në rajonin e gjërë të Gjilanit nga nëntori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945 kurrë nuk është vërtetuar . Sipas Vesel Rexhepit veprimtar i organizatës së PKJ në Gjilan, atë kohë, vetëm në Gjilan pati 4.500 shqiptarë të vrarë e të masakruar. Ndërkaq, sipas burimeve jo të plota të veprës së Tahir Zajmit,në rajonin e Gjilanit pati afro 8.000 të vrarë e të masakruar. Sipas ditarit të një NDSH-isti nga 23-29 dhjetor 1944 në Gjilan pati rreth 3.000 shqiptarë të likuiduar. Një numër i të rinjëve shqiptar të lagjes në fjalë, por edhe të qytetit e rrethinës për t’i ikur masakrës iu kishin bashkuar brigadave partizane, ku disa prej tyre ishin vrarë në luftë ose ishin nxjerrë nga njësitet e tyre për t’u pushkatuar. Pos atyre të cilët ishin likuiduar, pas hyrjes së forcave serbo-bullgare në Gjilan më 16 nëntor 1944 , për të cilët bëmë fjalë në pika të shkurtëra , në vijim po i shënojmë emrat , moshën dhe statusin e të likuiduarëve të tjerë të lagjes ,,Derëmëhallë” , pjesa më e madhe e të cilëve janë likuiduar nga 23 dhjetoti i vitit 1944 dhe në ditët e para të vitit 1945.
U likuiduan ata që shquheshin në aktivitet patriotik
Pra , që nga 23 dhjetori i vitit 1944 dhe në ditët e para të vitit 1945 u likuiduan shumë njerëz që shquheshin me aktivitetin e tyre potriotik .
– Halim Orana , i biri i Ibrahim Oranës , mësues dhe student i paraluftës , kurse gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte përfaqësues i Shtetit Shqiptar në Shtetin e Pavarur Kroat në Zagreb . Pas përfundimit të luftës, duke mos u pajtuar me vendosjen e pushtetit okupues komunist sërbo – sllav i hyri aktivitetit të tij patrriotik dhe me shumë patriotë e intelektualë të tjerë të Kosovës dhe të viseve të tjera formuan Organizatën Nacionaldemokratike SHqiptare me qendër në Shkup. Halim Orana ishte kryetar i KQ dhe hartues i programit të kësaj organizate . Pas shpartallimit të NDSH -së nga forcat ushtarako- policore jugosllave , Halim Orana kapet dhe në Gjyqin Ushtarak të Beogradit në shtator të vitit 1947 në moshën 33 vjeçare denohet me vdekje- pushkatim dhe me konfiskim të pasurisë . Halim Orana nuk ishte i martuar .
–Mulla Idriz Hajrullahu i moshës 48 vjeçare nga fshati i afërm Velekincë , pas martesës vendoset me familje në këtë lagje të Gjilanit . Më 1938 u zgjodh bashvaiz në Ylema Mexhlisin e Shkupit , ku qëndroi deri në kapitulimin e Jugosllavisë më 1941 . Gjatë Luftës së Dytë Botërore kreu detyrën e nënmyftinisë për Nënprefekturën e Gjilanit . Si patriot dhe intelektual fetar gëzonte autoritet të madh në popull dhe në verë të vitit 1944 u bë udhëheqës strateg i shquar popullor dhe ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave vullnetare shqiptare që mbronin kufirin e Kosovës Lindore nga sulmet patizano – çetnike . Pas 16 nëntorit 1944, Mulla Idrizi ishte organizator i Lëvizjes Kombëtare dhe komandant i Shtabit të Rezistencës të forcave demokratike patriotike anti komuniste në Kosovën Lindore . Ishte udhëheqës kryesor i sulmit për çlirimin e Gjilanit më 23 dhjetor 1944 .Pas thyerjes së rezistencës Mulla Idrizi nuk deshi të linte vendin dhe kaloi në ilegalitet . Pas arrestimit në fund të nëntorit 1949 e dogjën të gjallë në burgun e OZN-ës në Gjilanit Ka lënë pas gruan me tre fëmijë (dy djem e një vajzë) për të jetuar për shumë vite në varfëri të thellë.
–Mulla Ymer Berisha i moshës 55 vjeçare i ati i Esat Berishës i familjes me traditë patriotike të ardhur nga fshati Llashticë . Mulla Ymeri si Hoxhë-imam i xhamisë së “Deremëhallës” shquhej për aktivitetin e tij patriotik, gjatë vajzit dhe tubimeve të ndryshme në oda dhe vende tjera, e sidomos ishte shumë aktiv kundër shpërnguljes së shqiptarëve ne Turqi si dhe në mobilizimin e rinisë në luftë për mbrojtjen e kufirit të Kosovës Lindore. Patriotizmin e tij me kohë ua kishte mbjellë në shpirt edhe vëllezërve dhe djemëve që në fëmijëri . Është likuiduar nga pushteti komunist më 23 ose 24 dhjetor 1944. Ka lënë pas pesë fëmijë.
–Hafëz Rashit Berisha , vëlla më i ri i Mulla Ymerit, i moshës 40 vjeçare,për një kohë hoxhë dhe imam në fshatin Bresalc, aktivist në mbledhjen e të mirave materiale për furnizimin e luftëtarëve të lirisë në frontin e luftës në Kosovën Lindore. Kjo bëri që menjëherë pas hyrjes së forcave partizane në Gjilan më 16 nëntor 1944 , sërbët e qytetit e kishin hapur një gropë në oborrin e tyre dhe si deklaron i biri Isa “babën dhe mua na kërcënonin për të na futur për së gjalli dhe vetëm fati na shpëtoi”. Isa për t’i shpëtuar ndonjë masakre në moshën 16 vjeçare iu bashkua brigadave partizane, kurse në ndërkohë sërbët e Gjilanit, më 23 apo 24 dhjetor të vitit 1944 ishin future në shtëpinë e Hafëz Rashitit të cilit së pari ia kishin thyer krahët e pastaj e kishin dërguar për ta masakruar në burgun e Gjilanit . Ka lënë pas gruan me tre djem e një vajzë.
–Elez Fazliu nga fshati Muqibabë banor i kësaj lagjeje, i moshës 30 vjeçare, i pushkatuar ose i masakruar në burgun e Gjilanit, në ditët e para të vitit 1945. Ky ishte marrë në “besë “ nga fqinji dhe ortaku i punës Mika (Mihail) Stankoviqi , të cilit në një rast ia kishte shpëtuar jetën duke rrezikuar edhe veten, por këtë të mirë nga vet fqiu sërb e pagoi me kokë. Si rrëfejnë djemtë e Elezit, “atyre ditëve të vështira Mika vazhdimisht vinte në shtëpinë tonë për ta lutur gjyshen (nënën e Elezit) që baba sa më parë të vijë nga mali . Ai premtonte siguri dhe një ditë gjyshja i tha : “Miko po e dorëzoj djalin në dorën tënde dhe të zotit”, por nënëlokja kishte gabuar . . . Nëna dhe e shoqja e Elezit mbetën me shumë jetimë pa kushte për ekzistencë dhe me vite jetuan në varfëri të thellë28 .
-Shaban Rukovci, bujk i moshës 56 vjeçare, i familjes muhaxhere, është marrë nga shtëpia prej sërbëve të qytetit dhe është likuiduar në burgun e Gjilanit apo është pushkatuar pa kurrfarë shkaku në ditët e fundit të dhjetorit 1944. Ka lënë pas dy vajza.
–Qamil Jonuzi , zejtar i moshës 29 vjeçare, i lindur në këtë lagje të Gjilanit, familje e ardhur nga fshati Livoq. Është marrë prej shtëpisë nga serbët e qytetit, zbathur, në këmishë e klina dhe i përcjellur me të rëna deri në burg. Është likuiduar vetëm pse ishte shqiptar në ditët e fundit të vitit 1944. Ka lënë pas gruan me katër fëmijë (dy djem e dy vajza) , të cilët jetojnë në Turqi.
–Nevzad Musliu, bujk, por mirej ngapak edhe me tregëti, i moshës 30-31 vjeçare, është marrë prej serbëve të qytetit nga shtëpia së bashku me vëllanë Isakun, të zbathur e të zdeshur dhe është përcjellur me të rëna deri te burgu i Gjilanit. Nevzadi është likuiduar në burg ose është pushkatuar natën në ditët e fundit të dhetorit të vitit 1944. Ka lënë pas gruan me tri vajza.
–Vëllau i Nevzadit Isak Musliu, bujk dhe zejtar i moshës 28 vjeçare. Gjatë luftës për një kohë ishte ushtarak – toger i ushtrisë shqiptare, i likuiduar në burgun e Nishit në vitin 1948. E shoqja e Isakut, Hysnija ,dhe vajza e Nevzadit Ajshja, rrëfejnë: “Nevzadin dhe Isakun i morën nga shtëpia të premten (fundi i vitit 1944 ) dhe i kanë rrahur shumë, Isakut i kanë kërkuar mitroloz, por, edhe pse nuk ka patur, nga torturat e shumta ka thënë se ka dhe se do ta dorëzojë. Më pastaj ata e sjellin në shtëpi dhe ai shtihet se nuk po mund ta gjejë mitrolozinë. Duke e kthyer prapa në rrugë e sipër, te Hani i Hasan Nallbanit (në mes të lagjes) arrin t’iu shpëtojë dhe ikë. Rrethë një viti ka qëndruar ë fshehur në strehimore në shtëpinë e tij .Më pastaj është zbuluar dhe pas rrethimit nga forcat të shumta policore pët ta shpëtuar familjen dhe shtëpinë është dorëzuar. Ai nxirret para gjyqit dhe dënohët më tri vjet burgë, por gjashtë javë para se të lirohet likuidohet në burgun e Nishit.” Ka lënë pasë gruan me dy fëmijë- vajzë ë djalë
-Feriz Halimi, bari i lagjes, i moshës 44-45 vjeçare nga fshati Vriçec, banorë i kësaj lagjeje, i likuiduar së bashkë me të birin Ramën, në ditët e fundit të dhjetorit 1944.
-I biri I vetëm i Ferizit, Rama (Ramadani), i moshës 16 vjecare, i likuiduar së bashku me të atin nga fundi i dhjetorit 1944. Bab e djalë, që ishin bari të kësaj lagjeje, shumë të varfër dhë tepër të urtë, janë likuiduar vetëm pse ishin shqiptarë. Këta janë vra në rrugë para dyerëve të shtëpisë së tyre. Vajza e Ferizit, Feridja {64} rrëfën:” Atyre ditëve serbët e qytetit hynë në shtëpinë tonë dhe i morën babën dhe vëllaun Ramën, të cilëve iu bashkova edhe unë, posa iI nxorrën në rrugë para dyerve të oborrit. Së pari e vranë babën e pastaj edhe Ramën. Vëllau i plagosur rëndë jetoi rreth një orë. Kufomat nuk na lejuan t’i marrim. Ato vetë vërasësit i morën dhe i dërguan në drejtim të parkut të qytetit dhe me siguri i kanë hudhur në ato gropa ku i hudhëshin edhe të vrarët e tjerë.”32 Ka mbetur e shoqja e Ferizit me të bijën për të jetuar me dekada në varfëri të thellë.
-Adem Osmani ( Tupalla ) , agja i Xhemës dhe Musa Tupallës, zejtar i moshës 50 vjeçare , është vrarë diku në malet e Gallapit në mars të vitit 1946 , pas një rezistence të ashpër që kishte bërë, së bashku me mikun – vëllaun e gruas Faik Talirin dhe me një tjetër , kundër ushtrisë e policisë jugosllave. Kufomat e tyre janë ekspozuar për tri ditë me radhë në qendër të Gjilanit dhe pas tri ditësh janë varrosur diku në periferi të qytetit. Nuk ka lënë pasardhës, ngase nuk pati fëmijë.
– Musa Osmani ( Tupalla ), vëlla i Xhemajl Osmanit, zejtar, i moshës 27 vjeçare ,për një kohë nëpunës i financave të prefekturës së Gjilanit. Si pjestar i familjes patriotike, e cila angazhohej në veprimtari për clirimin dhe bashkimin e trojeve etnike, është nxjerrë nga brigada partizane dhe është likuiduar, por vendi nuk i dihet. Kalon pas gruan me dy fëmijë (djalë e vajzë) pa kushte për egzistencë për të jetuar me vite në varfëri të thellë.
-Faik Taliri , nga fshati Hajkobillë, banor i kësaj lagjeje, xhandar i njohur në Gjilan i pushtetit shqiptar, i moshës 40 vjeçare.33 Ishte udhëheqës i njësisë guerile të Mbrojtëjes Kombëtare dhe njëhërësh anëtar i Shtabit Drejtues të Rezistencës Shqiptare të Kosovës Lindore.34 Për qëndrimin e tij burrëror e patriotik, flasin me mburrje shumë bashkëkohanik të kësaj ane. Siç u tha është vrarë vetë i treti pas një rezistence heroike në malet e Gallapit, në mars të vitit 1946. Kufoma e tij dhe ato të dy shokëve të vet janë ekspozuar mbështetur për ndërtesën e komunës në qendër të Gjilanit. Ka lënë pas një vajzë.
– Mulla Sabri Berisha nga Llashtica,banorë i kësaj lagjeje, i moshës rreth 30 vjeçare është marrë prej shtëpisë nga sërbët te Gjilanit dhe është likuiduar në ditët e fundit 1944.Ky ishte vëlla i Mulla Kadri Llashticës , njeri me autoritet dhe i njohur për aftësitë e tija fetare.Ka lënë pas gruan me du djemë e një vajzë , të cilët janë kthyer për të jetuar te farefisi në fshatin Llashticë.
–Selim Ruhani , i moshës 30 vjeçare, ishte njeri i varfër dhe merrej me një tregti të imtë sa për ekzistencë Ai është marrë nga shtëpija për t’u likuiduar në burg ose është pushkatuar në ditët e fundit të dhjetorit 1944 .Nuk ka lënë pasardhës.
-Ilaz Sllubica nga fshati Sllubicë, banor i kësaj lagjeje, i moshës rrethë 30-32 vjeçare, ishte njeri i varfër që e siguronte ekzistencën si punëtor krahu. Ai u more nga shtëpia dhe u likuidua në ditët e fundit të dhjetorit 1944 vetëm pse ishte shqiptarë. Ka lënë pas gruan dhe dy djemë.
–Islam Beqir Syla , i moshës 24-25 vjeçare nga fshati Bresalc, i vendosur kohë më parë në këtë lagje të Gjilanit. Në fillim të vitit 1945 i është bashkuar brigadave partizane, por pas pak së bashku me një grup shokësh ka dezertuar diku në afërsi të Lipjanit dhe për gjashtë muaj kishte qëndruar i fshehur në mal afër Bresalcit. Pas kësaj kohe i është dorëzuar pushtetit duke besuar në një amnesti të përgjithëshme. Mirëpo sërish është mobilizuar dhe për herën e fundit është parë në Mitrovicë të Kosovës dhe më tutje për të nuk dihet gjë. Ishte i porsamartuar.
–Ismet Muharrem Muezini, fëmijë i moshës 16 vjeçare, është marrë para derës së shtëpisë së dajës ku edhe banonte me nënën dhe është likuiduar në ditët e fundit të dhjetorit 1944, në burgun e Gjilanit ose është pushkatuar. Ky ishte i vetmi djalë i nënë Halimës, të cilin e kishte rritur jetim e në skamje. Tërë jetën e kishte pritur duke shpresuar se një ditë do t’i kthehet, por kot. Ajo vdiq me atë mall duke jetuar te bija e vetme e saj në Turqi ( Bursa ) .
–Shaqir Godeni , i moshës mbi 50 vjeçare, në kohën e Mbretërisë Jugosllave përherë ishte në kundërshtim me pushtetin dhe kishte qëndruar gjatë si kaçak në mal, është vrarë diku në vitin 1945 . Këtij ia kishin kërkuar edhe dy djemtë për t’ia vrarë, por kishin shpëtuar duke qëndruar 2-3 vite në male e pastaj kishin kaluar në Bosnje.
–Avdi Nazif Latifi, afër 60 vjeçar, i sëmur, nga fshati Livoç, banor i kësaj lagjeje, ishte marrë i sëmur nga shtrati nga serbët e qytetit. Posa e nxjerrin para derës së shtëpisë e therrin dhe pastaj zvarrë e çojnë në drejtim të parkut të qytetit për ta hudhur në grope së bashku me shqiptarë e tjerë të likuiduar e të pushkatuar .
– Halil Rafuna – Onbashi, i moshës rreth 44 vjeçare, është marrë nga shtëpia e tij, prej serbëve të qytetit, dhe është likuiduar në burg, ose është pushkatuar në ditët e fundit të dhjetorit 1944. Këtij ia kishin kërkuar pë t’ia vrarë edhe djalin e vetëm, Eminin, por kishte shpëtuar duke u strehuar në mal.
–Adem Fejzullahu , varrmihës, i moshës rreth 60 vjeçare, u mor nga shtëpia e tij nga serbët e Gjilanit dhe u likuidua në burg, ose u pushkatua në ditët e para të vitit 1945. Sipas disa të dhënave ky ishte përcjellës i informatave të komandontit Mulla Idriz Hajrullahut, në kufirin e Kosovës Lindore.
-Muharrem Ibrahimi, zejtar, i moshës 21 vjeçare, i pamartuar, është vra në brigadat partizane më 1945, por nuk dihet se ku.
–Bislim Bislimi, i moshës 30 vjeçare, ishte ndihmëtregtar, i vrarë në brigadën partizane më 1945, vendi nuk i dihet. Ka lënë pas gruan me dy djemë dhe një vajzë.
– Bashkëshortët Idriz dhe Safete Sllamniku (Idrizi ishte tregtar i moshës 42 vjeçare dhe Safetja e moshës 40 vjeçare ishte amvise ) janë vrarë më 23 apo 24 dhjetor 1944 nga serbët e qytetit. Së pari plagoset rendë Safetja të cilës ja hudhin bombën në koridor , në atë rrëmujë qëllohet edhe Idrizi për vdekje, kurse kufomën ia qesin në rrugë për ta bartur pas ca ditësh me qerre në varrezat massive në periferi të qytetit. Ndërkaq Safetja pas një jave vdes dhe varroset nga disa të afërm në varrezat e qytetit. Këta lane pas shtatë fëmijë të vegjël, pa tokë dhe fare kushtesh për ekzistencë.
Në bazë të asaj që u tha, shihet se pjesa më e madhe e të likuiduarëve shqiptarë të lagjes ,,Derëmëhallë” të Gjilanit janë marrë nga shtëpitë e tyre prej serbëve të qytetit e të lagjës dhe janë likuiduar vetëm pse ishin shqiptarë. Askujt nga të vrarët e të masakruarit , pos një gruaje, nuk i dihen varret. Ata edhe kur vriteshin në shtëpi apo diku tjetër , kufomat duhet tëliheshin në rrugë ,e pastaj sipas urdhërit të pushtetit , barteshin me qerre kafshësh për tu hedhur në gropa të përbashkëta të hapura më parë rreth e përqark qytetit . Në munges të të dhënave të mjaftushme dokumentare për persona e vrarë e të masakruar të kësaj lagjeje, për kohën në fjalë, ishin të detyruar që të bazoheshin kryesisht në të dhëna memoriale të mbledhura nga anëtarët e familjeve që kishin humbur të afërmit e tyre , si dhe të njerëzve të moshuar të lagjes, përjetues të ngjarjeve të kohës, por gjithnjë duke pasur parasysh metodën krasimpre, për të ardhur deri te një konkludim më të saktë.
Për shkak të gjenocidit permanent serbomadh ndaj shqiptarëve, shpërngulja e banorëve të kësaj lagjeje, por edhe e tërë qytetit të Gjilanit dhe më gjërë, nuk është ndërprerë asnjëherë. Mirëpo hovin më të madhë kjo shpërngulje e ka patur pas Luftës së Dytë Botërore, nga shkaku i likuidimeve të shumëta dhe i vendosjes së pushtetit okupues komunist. Asokohe shumë familje pos që kishin humbur më të dashurit kishin humbur edhe fuqinë punëtore dhe i kishte kapluar varfëria. Prandaj, ata i kishin humbur edhe shpresat për ekzistencë dhe për të ardhmen e këtyre trojeve. Shumë familje të kësaj lagjeje , me zemër të thyer, kishin marrë rrugën e ikjes dhe pjesa më e madhe e tyre janë vendosur në Turqi
Në këtë punim modest u mundova të përfshijë vetëm një masakër locale, që ka ndodhur në vitin 1944/45, në një Lagje të Gjilanit, pikërisht në Deremëhallë. Të njëjtin fat apo të ngjashëm e ka përjetuar edhe tërë Gjilani dhe Anamorava si dhe tër popullata shqiptare, mirëpo shumë fakte kanë mbetur pa u evidencuar.
Le të shërbej ky punim si cytje për njerëzit e pendës, që këto zullume të bëra, të bëhen publike, në mënyrë që gjeneratat e ardhshme t’a kenë një pasqyrë më të qartë rreth këtyre ngjarjeve të cilat duhet shënuar sa më parë.
Informatat nga terreni janë marrë nga këta këta banorë të lagjes e të tjerë:
Hamdi Rukovci; Isa Rashit Berisha; Kadri Selmani; Fazli Elezi; Xhylishen Osmani; Muharrem Selmani; Nuhi Selmani; Isuf Aliu –Gjilan-Kumanovë e të tjerë.