Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK), sot më 01/02/2018 në Prishtinë, shpalli rezultatet përfundimtare të Olimpiadës së X Matematike të Kosovës – OMK 2018, të mbajtur më 27/01/2018 në Gjimnazin Matematikor në Prishtinë.
Shkruan: Festim Shkodra
Edhe sivjet, në këtë olimpiadë gjilanasit vazhduan traditën e sukseseve. Kuptohet, këtu duke i llogaritë edhe nxënësit gjilanas që pikënisjen e sukseseve dhe përgatitjes së tyre matematike e kanë nga shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Gjilanit si dhe olimpiadat matematike të organizuara me standarde tejet të larta në komunën e Gjilanit si dhe ato në nivel shtetëror dhe gjithëkombëtar. Ndërsa tani këta nxënës po vazhdojnë me sukses të lartë shkollimin në Gjimnazin Matematikor në Prishtinë dhe në Kolegjin ,,Mehmet Akif” në Lipjan.
Kështu nga gjithsejt 12 vende të para në OMK 2018, gjilanasit zunë 5 vende apo 41.67 % të tyre, ndërsa nga gjithsejt 21 vetë të kualifikuar për të vazhduar më tej garën për përzgjedhjen e reprezentacionit shtetëror të Kosovës, triumfuan 6 gjilanas apo 28.57 % e të kualifikuarve për TST. Posaçërisht vlen të përmendet për suksesin e treguar gjilanasi ANDI SEJDIU që zuri vendin e parë në klasën e X.
Këtë herë nga ekipi zyrtar i Komunës së Gjilanit, sukses më të madh treguan nxënësit e klasës së IX, ku ERA SYLA (SHMU ,,Selami Hallaqi” – Gjilan) zuri vendin e dytë, ndërsa nxënësi tjetër ART HAJDARI (SHMU ,,Abaz Ajeti” – Gjilan) zuri vendin e tretë.
Pos këtyre nxënësve, gjilanasit tjerë që arritën sukses në OMK 2018 janë: ANDI SEJDIU që zuri vendin e parë te klasa e X, LEART AJVAZAJ që zuri vendin e dytë te klasa e XI dhe NITA SYLEJMANI që zuri vendin e tretë te klasa e XII.
Nxënësi tjetër gjilanas, BARDH OSMANI që zuri vendin e katërt në klasën e X, u kualifikua për të vazhdua garën më tej deri në përzgjedhjen e ekipit 6 anëtarësh të Kosovës për pjesëmarrje në Olimpiadën Botërore të Matematikës IMO 2018 që mbahet më 04-14/07/2018 në Rumani.
Por edhe nxënësit tjerë gjilanas që nuk arritën të kualifikohen për të vazhduar mëtej garën, arritën sukses solid në nivel vendi.
Ju dëshirojmë suksese të mëtejme të gjithë fituesve!