Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se drejtësia ka dhënë një përgjigje të fortë me aktgjykimin dënues ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.
Në një reagim në Facebook, Haxhiu ka thënë se aktgjykimi e bënë të qartë se askush nuk mund të planifikojë, të urdhërojë apo të kryejë një krim të tillë.
“Sot, me dënimin me burgim të përjetshëm të përgjegjësve për vrasjen e Liridona Ademajt, drejtësia dha një përgjigje të merituar dhe të fortë ndaj një krimi të rëndë që tronditi mbarë vendin. Përpjekja e të dënuarve për ta fshehur vrasjen pas skenarëve të rremë vetëm sa e rëndoi edhe më shumë këtë akt mizor. Asnjë vendim gjykate nuk e kthen Liridonën pranë fëmijëve të saj, pranë vëllaut, pranë familjes por ky aktgjykim e bën të qartë se askush nuk mund të planifikojë, të urdhërojë apo të kryejë një krim të tillë dhe të mendojë se do t’i shpëtojë drejtësisë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Haxhiu ka thënë se nderimi më i madh për Liridonën do të tregohet duke nderuar një Kosovë ku gruaja jeton e lirë dhe e mbrojtur.
“Sot e kujtojmë Liridonën me dhimbje dhe respekt. Nderimin më të madh për të do ta tregojmë duke ndërtuar një Kosovë ku çdo grua jeton e lirë, e mbrojtur dhe me dinjitet. Në këto momente, jam pranë familjes së saj dhe uroj që ky vendim, sado pak, t’u sjellë një grimë qetësie në dhimbjen e tyre të thellë”.
Naim Murseli e Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërkaq Kushtrim Kokalla me 30 vjet.

