Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se procesi i diskutimeve për presidentin është devijuar nga qëllimi fillestar, duke theksuar se në vend të kësaj teme, fokusi është zhvendosur tek çështjet e qeverisë.
Sipas tij, qëndrimi i LDK-së për këtë proces ka qenë i qartë që nga fillimi.
“Kryetari i LDK-së e ka bë të qartë qëndrimin e LDK-së. Ne jemi ftu’ me fol’ për President, kemi përfunduar duke folur për qeveri.
Përderisa para disa javësh është thanë që Kuvendi konstituohet, qeveria ndërtohet, bëhet, dhe veprimet e tjera me hapa të caktum dhe të imponum nga kryetari i Vetëvendosjes kanë ndodhë, janë bë fakt, janë kry’. Dhe lëvizja e djeshme që t’i ofrohet LDK-ja për qeverisje, për ne ka qenë çështje që nuk e kemi pritë, nuk e kemi kërku’ dhe kemi definu’ politikat tona.
Jemi të interesum, kemi qenë të interesum, mbetemi të interesum me bë vendin funksional duke i dhanë President, por jo duke kriju’ mundësi që të zgjatet qeverisja e Kosovës edhe me President. Presidenti është përfaqësuesi më i lartë, nuk është pushtet, nuk është institucion i cili ka pushtetin e ndamë e të tjerë, por përfaqëson qytetarët dhe garanton funksionimin e shtetit dhe mbron interesin e qytetarëve. Kjo është ajo si e shohim rolin e Presidentit e jo si zgjatje të qeverisë dhe të agjendave politike që zoti Kurti i ka sot“, tha Haziri.

