Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse Vjosa Osmani do të jetë kryetare e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e ardhshme.
Ai e ka konsideruar si tragjike nëse koalicioni LDK dhe VV do të ndodhte për shkak të ndarjeve të posteve.
I pyetur nëse Vjosa Osmani do të bëhet kryetare e re e Kuvendit të Kosovës, siç kishte paralajmëruar kreu i VV-së, Albin Kurti, Haziri është përgjigjur: “Nuk janë ndarë ende ato përgjegjësi… s’mund të them asgjë”.
“Nëse na ndahet posti i kryetarit të Kuvendit, ne vendosim kush bëhet”, ka deklaruar ai në televizionin publik, të premten.
Më herët, Haziri ka deklaruar se koalicioni VV-LDK do të formalizohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Ne mund ta bëjmë marrëveshjen, por ne nuk mund të hyjmë në institucione pa u bërë certifikimi”, ka thënë Haziri.