Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur veprimet hetimore ndaj trajtimit nga Policia e Kosovës të të gjitha rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, e cila u vra disa ditë pasi kishte kërkuar zbatimin e urdhrit për mbrojtje ndaj ish-bashkëshortit të saj.
IPK ka konfirmuar se veprimet hetimore po zhvillohen me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit.
Këto hetime përfshin edhe togerin Faruk Muqolli i cili u dëgjua në incizimet e publikuara së fundmi në media duke iu drejtuar Arlinda Zekajt me fjalët “Jemi lodhë”.
Sipas IPK-së, hetimet kanë për qëllim të verifikojnë veprimet dhe procedurat e ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të Arlinda Zekajt.
“IPK do të shqyrtojë edhe të gjitha shqetësimet e ngritura në media lidhur me veprimet e ndërmarra nga zyrtarët policorë përgjegjës, përfshirë, por pa u kufizuar, komunikimin me viktimën, kohën e reagimit dhe trajtimin e secilit raportim që ndërlidhet me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Insajderin.
Inspektorati ka bërë të ditur se gjatë këtij procesi do të vlerësohet nëse veprimet policore kanë qenë në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse, si dhe nëse ka përgjegjësi eventuale individuale apo institucionale.
“Qëllimi i këtyre veprimeve është vlerësimi i ligjshmërisë dhe përputhshmërisë së veprimeve policore me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive eventuale individuale dhe institucionale”, thuhet më tej në përgjigje.
Nisja e këtyre veprimeve vjen pas publikimit në media të një audio-incizimi, në të cilin dëgjohet komunikimi mes Arlinda Zekajt dhe togerit të Policisë së Kosovës, Faruk Muçolli, nga Stacioni Policor në Pejë.
Sipas transkriptit të publikuar, Zekaj i ishte drejtuar policisë për të kërkuar zbatimin e vendimit për urdhërmbrojtje ndaj ish-bashkëshortit të saj. Gjatë bisedës, ajo shpreh shqetësimin për gjendjen e djalit të saj dhe kërkon që vendimi të zbatohet.
Në një moment të bisedës, Zekaj dëgjohet duke thënë: “Faruk, unë jam lodhë, duhet me zbatu aktvendimin, kaq shumë e thjeshtë është”.
Ndërsa, sipas incizimit të publikuar, polici i përgjigjet: “Edhe na jemi lodh. Bindu që edhe na jemi lodh. Unë konsideroj që na jemi në rregull”.
Në të njëjtën bisedë, Zekaj dëgjohet duke pyetur: “A duhet të më vrasë mua Jetoni?”, duke shprehur frikën dhe shqetësimin për sigurinë e saj.










