Incizimet e publikuara së fundmi në media kanë nxjerrë në pah detaje të reja rreth ngjarjeve që i paraprinë vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në njërin prej incizimeve, të publikuar në emisionin “MAT” dhe të realizuar nga vetë Zekaj brenda ambienteve të Policisë së Kosovës, dëgjohet një bisedë mes saj dhe komandantit policor, Faruk Muçolli.
Gjatë bisedës, Muçolli dëgjohet duke i thënë Zekajt se nuk e ka për obligim të merret me të dhe se nuk do ta presë më personalisht.
Në fillim të bisedës, Muçolli dëgjohet duke i thënë Zekajt se ia kishte bërë të qartë edhe më parë që nuk e kishte obligim të merrej me të.
“Unë të kam thënë edhe atë ditë, unë s’e kam obligim të merrem me ty”, i thotë Muçolli.
Ai vazhdon duke iu referuar kërkesave të saj për ta takuar.
“Sa herë që po vjen me kërkuar Farukun, po del Faruku”, shprehet ai.
Zekaj, nga ana tjetër, e pyet se kush është përgjegjës për t’iu përgjigjur kërkesave të saj, nëse jo ai.
“Po mirë, tash çka? E kush është i obliguar atëherë, nëse jo ti? Nëse jo ti, tjetër kush duhet me u përgjigj?”, e pyet ajo.
Muçolli i përgjigjet se, nëse konsideron që Policia nuk është duke vepruar siç duhet, ajo ka të drejtë të paraqesë ankesë.
“Në atë moment që ti dyshon që na nuk jemi në rregull, ti ke të drejtë me paraqitë ankesë”, thotë ai.
Në një moment tjetër të bisedës, Zekaj shprehet se është lodhur nga situata, ndërsa Muçolli i përgjigjet se edhe policët janë lodhur.
“Faruk, unë jam lodh”, i thotë Zekaj.
“Edhe na jemi lodh”, ia kthen Muçolli.
Teksa Zekaj kërkon që të zbatohet një vendim, Muçolli këmbëngul se veprimet e Policisë janë në rregull.
“Ju duhet me zbatu atë vendimin tim”, shprehet Zekaj, ndërsa Muçolli i përgjigjet: “Unë e konsideroj që na jemi në rregull”.
Gjatë bisedës, Muçolli i thotë se këtë herë situatën po e vlerësojnë ndryshe.
“Këtë radhë na e lexojmë ndryshe”, thotë ai.
“Lexojeni një milion herë”, ia kthen Zekaj.
Në vazhdim, Muçolli i thotë se Policia e ka obligim ta përcjellë deri te dera e shtëpisë.
“Ne e kemi obligim sot me të dërgu deri te dera e shtëpisë”, shprehet ai.
Por, Zekaj reagon duke ngritur shqetësimin për sigurinë dhe jetën e saj.
“Faruk, të lutem, të lutem! Unë vrana, a s’ka lidhje? Po ju keni me u përgjigj. Apo është shumë e thjeshtë, krejt gratë që janë vra në shpi, a janë përgjigj pasi kanë vdekë?”, dëgjohet duke thënë ajo.
Në një pjesë tjetër të incizimit, Muçolli i thotë Zekajt se kjo është hera e fundit që do ta pranojë personalisht.
“Hera e fundit që të pranoj, se unë ty më nuk do të të pranoj personalisht, më nuk do të të pranoj”, i thotë ai.
Kur Zekaj e pyet përse, ai i përgjigjet:
“S’e kam obligim me të pranu”.
“E kush e ka obligim?”, vazhdon ta pyesë Zekaj.
Muçolli i thotë se deri atëherë e kishte pranuar për shkak të një obligimi moral.
“E kam obligim moral, për obligim moral të kam pranuar, se dy herë e tri herë”, shprehet ai.
Zekaj këmbëngul se Policia e Kosovës duhet ta pranojë, ndërsa Muçolli përmend edhe palët e tjera që po prisnin për t’u trajtuar.
“Derisa jam tu u marrë me ty, palët janë tu pritë me rend qaty”, i thotë ai.










