Me rastin e shënimit të 27 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan në kuadër të projektit “Rreze drite në emblemën time” ka organizuar një sërë aktivitetesh të dedikuara për forcimin e bashkëpunimit me qytetarët, veçanërisht me fëmijët dhe të rinjtë.
Përgjatë 27 viteve të shërbimit Policia e Kosovës ka qenë e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët.
Në kuadër të projektit aktivitetet e planifikuara nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan përfshijnë;
• “Porta e hapur”, vizita të shumta në Stacionet Policore nga nxënës staf i shkollave, zyrtar institucionesh e qytetarë të ndryshëm të cilët kanë pasur mundësinë të njoftohen me punën dhe përkushtimin e stafit policor dhe të shohin nga afër pajisjet dhe teknologjitë që përdoren për mbrojtjen e sigurisë;
• Aktivitete për sigurinë në rrugë duke realizuar patrullimit të përbashkët me nxënës me qëllim të përcjelljes së mesazhit se siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët;
• Takime me Këshillat Lokale për Siguri në Bashkësi (KLSP) me fokus në forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me komunitetin si dhe shpërndarjen e kartelave informuese.
Përmes këtyre aktiviteteve, Policia synon që përvjetori i themelimit të mos jetë vetëm një datë përkujtimore, por edhe një mundësi për të qenë më afër qytetarëve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan shpreh mirënjohje për të gjithë qytetarët, institucionet, shkollat, mësimdhënësit, nxënësit dhe partnerët e sigurisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Policia e Kosovës gjithmonë në shërbim të qytetarëve!










