Kalaja e Novobërdës është njëri ndër objektet më me vlerë të trashëgimisë kulturore në rajonin e Gjilanit, i cili daton nga kohët e lashta.
Artan Hoxha, drejtor në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, thekson se kalaja ka pasur funksion të mbrojtjes gjatë periudhave të ndryshme, ndërsa supozimet teorike për vjetërsinë e kalasë janë endur midis mesjetës dhe antikitetit. Ajo është e ngritur në një kodrinë strategjike që vrojton terrenin dhe të gjitha kalatë tjera më të vogla, të kthyera nga ajo për të marrë e kthyer sinjalet komunikuese. Ndërtimi i takon tipit fortifikatë dhe përbëhet nga dy pjesë të ashtuquajtura: Kalaja e Sipërme dhe Kalaja e Poshtme. Kalaja e Sipërme ka gjashtë kulla: kulla lindore dhe perëndimore kanë bazë drejtkëndëshe, kurse të tjerat bazë katrore dhe ka një sipërfaqe rreth 0.05 hektarë.
Kalaja e Sipërme ka qasje vetëm nga pjesa lindore. Nga pjesët tjera pjerrtësia e kodrës është shumë e rrëpirët në drejtim të luginës. Në pjesën lindore terreni ngrihet gradualisht dhe kalon në një kodër tjetër më të vogël në platenë e epërme, nën të cilën gjenden rrënojat e një kishe të madhe mesjetare të tipit katedrale.
Ai thekson se kjo kala është shumë me rëndësi për trashëgiminë tonë kulturore, kurse së fundmi kanë filluar punimet në restaurimin e kalasë.
Bajrush Ymeri, nënkryetar i Komunës së Novobërdës, ka thënë se shumë shpejt do të përfundojë restaurimi i kalasë dhe se vizitorët do të kenë çfarë të shohin.
Kësaj kalaje vizitë i ka bërë edhe Besart Dreshajt, këshilltar në Qeverinë e Kosovës.
“Lokaliteti arkeologjik i Kalasë së Novobërdës përfaqëson një nga asetet më të veçanta të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky qytet antik flet për qytetërimin e lashtë të paraardhësve tanë dhe meriton të ruhet e të çmohet nga të gjithë”, ka theksuar Bajrush Ymeri, sipas të cilit punimet janë duke u zhvilluar dhe se ai personalisht është angazhuar për këtë projekt dhe ajo që po ndodh tani aty është rezultat i takimit të tij me Christof Stock, shef i operacioneve në Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë.
“Së bashku me zotin Stock dhe zotin Alan Packer vizituam kalanë. Përderisa unë ia shpjegoja historinë e Kalasë së Novobërdës, Stock më premtoi që do të më ndihmonte rreth këtij projekti. Më vjen mirë që sot punët janë duke u zhvilluar dhe ky projekt mjaft jetik për ne dhe turizmin rural është duke u realizuar”, ka thënë Ymeri, që shpreson se ky projekt do të përfundojë shpejt dhe Kalaja e Novobërdës më në fund do ta merr pamjen e merituar.