Kombëtarja e Kosovës, nuk ka arritur të fitojë as ndaj Andorrës, e cilësuar si kombëtarja më e dobët e grupit I, duke barazuar 1:1 në Fadil Vokrri.
Pasi barazuan ndaj Izraelit në udhëtim, shpresat ishin te një fitore ndaj Andorrës, i cili ishte rezultati i vetëm të cilin e synuan lojtarët dhe trajneri i Kosovës.
Një pjesë e parë relativisht e dobët nga të dy kombëtaret, me ‘Dardanët’ që kishin një dominim të lehtë, por pa ardhur deri te konkretizimi i rasteve të pakta të krijuara.
Pjesa e dytë filloi me një energji me të madhe të Kombëtares së Kosovës, që me një insistim më të madh arriti deri te goli i epërsisë.
Ishte minuta e 59-të kur Milot Rashica asistoi bukur te Edon Zhegrova, i cili me një vrapim të bukur doli përballë me portierin mysafir, të cilin e mposhti me një goditje shumë të bukur për rezultatin 1:0.
Por ky rezultat nuk u mbajt më shumë se një minutë, pasi në minutën e 60-të, Andorra shënoi në rastin e vetëm të rrezikshëm të krijuar në ndeshje. Ishte një dalje e gabuar e Aro Muric, që në gol e konkretizoi Rosas me një goditje të lehtë me kokë.
Deri në fund Kosova e kërkoi me ngulm golin e fitores, ku në tre raste kërkoi penallti, por gjyqtari i takimit nuk ishte i këtij mendimi dhe si rezultat, ndeshja përfundoi me barazim 1:1, që është mjaft zhgënjyer për Kombëtaren tonë, duke parë pritshmërinë nga kjo ndeshje.
Kosova tani renditet e treta me vetëm dy pikë të grumbulluara në dy ndeshje, me Rumaninë e Zvicrën që ka përpara me fitore në dy ndeshjet e zhvilluara.