Kosova ka aplikuar për antarësim më INTERPOL, kanë konfirmuar nga institucionet e Kosovës. Mirëpo analistët tërheqin vërejtjen që Kosova duhet të përgatitet fillimisht dhe jot ë dështojë sërish.
Mentor Tahiraj nga Ministria e Punëve të Brendshme të martën në RTK 3 ka njoftuar se aplikacioni për antarësim në INTERPOL është dorëzuar.
“Po mund të konfirmoj se MPB më 31 janar ka dorëzuar aplikacionin për antarësim në INTERPOL. Kosova plotëson të gjitha kriteret për t’u antarësuar në INTERPOL”, ka thënë ai.
Analisti Blerim Burjani ka thënë se institucionet do të duhej që të përgatiteshin për të mos dështuar për antarësim në INTERPOL.
“Institucionet e Kosovës është duhur ta dinë a janë të përgatitura për të hyrë në një gjë të tillë. Unë nuk po shoh ndonjë përgatitje paraprake që kanë bërë institucionet e Kosovës. Nëse sërisht do të ketë dështim, atëherë nuk di si do të arsyetohen institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.
Por Fatmir Haxholli, këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ka thënë se sikur pikënisje të ishte logjika logjika “nëse aplikojë dështojmë”, atëherë Kosova asnjëherë nuk do të duhej të aplikonim. “Kosova pret sukses në përpjekjen për antarësim në INTERPOL, pavarësisht nëse ka dështuar në të kaluaren. Ne nuk do të lodhemi asnjëherë”, ka thënë ai.
Kosova vitin e kaluar kishte dështuar që të antarësohej në INTERPOL.