Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka nisur publikimi i rezultateve të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Sipas KQZ-së, në platformën zyrtare janë publikuar të dhënat e para nga Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në 15 komuna: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Në këto komuna, paraditen e së hënës ka nisur procesi i numërimit dhe verifikimit të votave.
Në njoftimin e KQZ-së thuhet se të hënën në QKN ka filluar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, si dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve.
“Pas përmbylljes së numërimit në secilin vendvotim, të dhënat do të transmetohen në kohë reale në platformën e rezultateve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Ndërkohë, gjatë pasdites së së hënës, procesi i numërimit ka nisur edhe në QKN-të e 23 komunave të tjera, përfshirë Deçanin, Gjakovën, Gllogocin, Gjilanin, Dragashin, Istogun, Kaçanikun, Klinën, Fushë Kosovën, Kamenicën, Mitrovicën e Jugut, Lipjanin, Rahovecin, Pejën, Podujevën, Prishtinën, Prizrenin, Skenderajn, Suharekën, Ferizajn, Vitisë, Vushtrrinë dhe Malishevën.
Platforma e rezultateve të KQZ-së është e qasshme në: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/

