Viti 1999 ishte vit i vështirë, i gjithë vendi ishte i përfshirë në luftë.
Popullata civile ishte e pambrojtur edhe për faktin se ushtarakisht nuk ishim të barabartë me armikun, andaj viktimat ishin kryesisht civile.
Ditën e 30 prillit te vitit 1999, në Llashticë forcat serbe sulmuan banorët. Ata së pari i vranë, më pas dogjën kufomat, rrënuan shtëpinë dhe viktimat u varrosën në gërmadhat e shtëpisë së tyre.
Ajo që dikur ishte streha e tyre e sigurt, u bë varri. Ata u varrosën në vendin ku jetuan, aty ku përjetuan gëzimin e hidhërimin, aty ku dikur lindi jeta u bë morti.
Të mbijetuarit rrëfejnë për tmerrin që përjetuan gjersa familjarët e tyre vriteshin, digjeshin dhe varroseshin para syve të tyre.
Ne bëmë homazhe pranë varreve të viktimave të Masakrës së Llashticës dhe ishim në hapjen e Ekspozitës me fotografi dokumentuese nga Masakra, fotografi të papublikuara më parë.
Detyrë e jona si institucione është ta dokumentojmë dhe zbardhim Masakrën e Llashticës dhe kriminelet të vihen para drejtësisë.
Lavdi të rënëve të Masakrës së Llashticës.