Me rastin e 12 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, Kushtrim Syla ka zhvilluar një takim të veçantë me infermierët e Spitalit të Gjilanit, duke shprehur mirënjohjen dhe respektin për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm në shërbim të qytetarëve.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, Syla ka zgjedhur një qasje ndryshe, më afër profesionistëve shëndetësorë, duke bashkëbiseduar me ta në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe konstruktive. Gjatë takimit, ai i falënderoi infermierët për gatishmërinë, humanizmin dhe profesionalizmin që tregojnë çdo ditë në kryerjen e detyrës së tyre fisnike.
Përmes një kafeje të përbashkët, si simbol respekti dhe vlerësimi për punën e tyre, u diskutua edhe për sfidat dhe nevojat që ka personeli infermieror në sistemin shëndetësor. Ky gjest u mirëprit nga infermierët, të cilët e vlerësuan afërsinë dhe komunikimin e hapur.
12 Maji shënon një ditë të rëndësishme për të gjithë infermierët në mbarë botën, duke rikujtuar rolin e pazëvendësueshëm që ata kanë në kujdesin dhe shëndetin e qytetarëve./Radio Star/

