Arben Mustafa, profesor i njohur universitar dhe njohës i çështjeve ekonomike, do të jetë sërish pjesë e listës së Partia Demokratike e Kosovës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku synon të renditet në mesin e 10 kandidatëve më të votuar të subjektit politik.
Mustafa, i cili së fundi ushtroi mandatin e deputetit në Parlamentin e Kosovës, u karakterizua nga një angazhim aktiv gjatë kësaj legjislature, ndonëse ajo nuk pati një kohëzgjatje të madhe. Përgjatë mandatit të tij, ai ngriti një sërë çështjesh që lidhen me ekonominë, zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve, duke u shquar për qasje profesionale dhe vendosmëri në debatet parlamentare.
Njohja e thellë në fushën e ekonomisë dhe përvoja akademike kanë bërë që Mustafa të konsiderohet një nga figurat më të përgatitura brenda Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa rikandidimi i tij po shihet si një vazhdim i angazhimit për të kontribuar në politika zhvillimore dhe reforma ekonomike në vend.
Mbështetësit e tij vlerësojnë se zëri i Arben Mustafës në Kuvend ka qenë i rëndësishëm për adresimin e problemeve që prekin qytetarët, veçanërisht në sektorin ekonomik dhe financiar./Radio Star/

