Kriza ekonomike i shtyn qytetarët të shpresojnë se ligjvënësit do të vendosin pro një mundësie ligjore, që të mund të tërheqin nga Trusti Pensional edhe një sasi mjetesh financiare. Ekonomistët deklarojnë se kjo do të ishte ndihmë edhe për vendin, kurse zyrtarët e Trustit thonë se do të ishin të gatshëm ta zbatonin vendimin.
Interesimi i qytetarëve nuk mungon sepse nevojat janë të shumta.
“Tërheqja e një shume nga Trusti në një mënyrë ju ndihmon qytetarëve shumë në këtë krizë por te na është ma e ndjeshme kjo situatë pasi jemi një popull pak më i varfër. Do të ishtë shumë mirë me ndodhë kjo”, thotë për televizionin publik Muharrrem Rudari, qytetar.
“Qysh mendoj unë, për popullsinë e Kosovës është më mirë se njerëzit kanë nevojë, duke e parë edhe gjendjen ekonomike e cila është shumë e keqe”, tha Arianit Llalloshi, qytetar.
Kërkesa për tërheqje të një sasie kursimesh, ka marrë rrugën institucionale.
Ditë më parë, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, dorëzoi në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale, veprim që e përkrahu edhe AAK-ja.
Edhe ekonomistët pajtohen me një hap të tillë.
Profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku thotë se kjo është kërkesë e drejtë e qytetarëve meqë e tërë bota po përballet me një krizë financiare.
“Unë mendoj se është legjitime kërkesa e qytetarëve të Kosovës që të kërkojnë tërheqje tjetër të një përqindjeje duke marrë parasysh nevojat tejet emergjente, por në anën tjetër duke ruajtur stabilitetin e këtyre mjeteve”, tha Sadiku.
Drejtori i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, është shprehur se në rast se legjislativi merr vendim për një tërheqje të dytë, ata janë në gjendje të aprovojnë dhe zbatojnë këtë vendim.
“Në rast se kuvendi i Kosovës e vlerëson një gjë të tillë dhe e aprovon ne e zbatojmë por ne nuk mund të ndërhyjmë në vendimmarrje te tilla dhe nuk dëshirojmë të përfshihemi”, tha Morina.
Tërheqja e 10% e mjeteve ishte garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike të votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.
Këtë vendim e kishin shfrytëzuar mbi 425 mijë qytetarë, të cilët kishin tërhequr rreth 200 milionë euro.JepiZë