Gazeta e madhe spanjolle, Marca, ka shkruar për qasjen e Federatës së Futbollit të Spanjës për ndeshjen ndaj Kosovës. Të martën federata spanjolle i është referuar Kosovës si “territori i Kosovës”, duke konfirmuar se ka trajtim të pabarabartë për përfaqësuesen “dardane”.
Sipas Marcas, ndeshja ndaj Kosovës është më “e rralla” e përfaqësueses spanjolle. “Spanja do ta pres Kosovën, por trajtimi nuk do të jetë si i një kombëtareje”, ka shkruar Marca në titull.
“Territori apo ekipi i Kosovës, do të diskutohet. Himni nuk do të paraqitet si i tillë dhe mund të ndikojë në transmetimin nga TVE”, vazhdon gazeta e madhe.
Federata spanjolle ka punuar gjatë me Ministrinë e Punëve të Jashtme për të organizuar ndeshjen Spanjë – Kosovë. Në federatë janë munduar ta bëjnë sa më të zakonshme ndeshjen, marrë për bazë që Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë hapa të rëndësishëm që ekipi kosovar t’i qaset Spanjës dhe të luaj në Spanjë. Por protokolli do të jetë më i veçanti ndonjëherë në ndeshjet e organizuara nga Spanja. Nuk mund të ketë referim si shtet i Kosovës në qasjen e Federatës apo në ndeshje. Kështu që gjithnjë do të jetë ekipi i territorit të Kosovës. E njëjta gjë ndodh me flamur, që nuk mund të shfaqet afër atij të Spanjës si i një vendi të pavarur. Apo himni, formula e të cilit nuk mund të prezantohet në formë klasike si ‘himni nacional i…’. Do të prezantohet si muzikë e ofruar nga territori i Kosovës”, ka shkruar Marca, duke paralajmëruar qasje plotësisht të pabarabartë për Kosovën. Këto gjëra do të ndikojnë edhe në transmetimin televiziv.
Në transmetimin për Spanjë, sipas Marcas, nuk do të ketë referim ndaj Kosovës si shtet i pavarur. Qasja do të jetë për përzgjedhje apo territor të Kosovës.