Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit.
Sipas Muratit, nafta është kthyer në nivelin 1.15-1.25 euro/litër, e njësoj kanë filluar të bijnë edhe çmimet e produkteve tjera, si dhe një litër vaj ushqimor tani mund të blihet edhe me 1.20 euro, kurse gruri ka prekur nivelin e para disa viteve me 0.22 euro/kg.
“Shkalla e inflacionit për muajin prill sipas ASK-së ishte 6.3%, që paraqet një rënie të theksuar krahasuar me nivelin që kishim disa muaj më parë”, ka shkruar Murati në Facebook.
Tutje, ministri ka thënë se ende ka shumë produkte tjera të cilat vazhdojnë të kenë çmime përtej normales.
“Megjithatë, ka ende shumë produkte tjera të cilat vazhdojnë të kenë çmime përtej normales, kryesisht si rezultat i marzhave të larta të fitimit që po aplikojnë tregtarët”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, kjo gjë do të rregullohet me Ligjin për Çmimet Tavan, por ka thënë që LDK e ka pruar në Kushtetuese për ta bllokuar.
“Me sa duket, për ta më e rëndësishme është rritja e fitimeve për tregtarët sesa mirëqenia e qytetarëve”, ka shkruar Murati. /teve1.info/