FC Drita ka nisur punën për ruajtjen e boshtit të skuadrës kampione, ndërsa lëvizja e parë zyrtare vjen nga porta. Gardiani i besueshëm, Faton Maloku, ka vazhduar bashkëpunimin me bardhekaltërit edhe për dy vite të tjera.
Klubi gjilanas ka bërë të ditur përmes faqes zyrtare se palët kanë arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës, duke siguruar kështu vazhdimësinë e një prej futbollistëve më të rëndësishëm në sukseset e fundit të skuadrës.
Maloku ishte një nga shtyllat kryesore të Dritës gjatë sezonit të kaluar, duke dhënë siguri në repartin defensiv dhe duke kontribuar në arritjen e objektivave madhorë të klubit.
Me këtë rinovim, Drita dërgon një mesazh të qartë se synon të ruajë bërthamën e ekipit kampion dhe të ndërtojë mbi sukseset e arritura, në prag të sfidave të reja në arenën vendore dhe ndërkombëtare.
Nënshkrimi i Faton Malokut është vetëm fillimi i një vere që pritet të sjellë edhe lëvizje të tjera të rëndësishme në kampin bardhekaltër./Radio Star/

