Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka folur për marrëveshjet e arritura dje në Washington, derisa ka thënë se delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit ato që premtoi për një kohë të gjatë.
Ndër to, Osmani ka përmendur negocimin për resurset e Kosovës, siç është Ujamani, pastaj mospranimi i Mini-Schengenit, rezultate konkrete për të pagjeturit, përgjegjësi të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, eliminim të plotë të barrierave jotarifore që Serbia i ka vënë Kosovës e të tjera.
Osmani ka folur edhe për njohjen nga Izraeli duke thënë se kjo është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë, shkruan Reporteri.
Postimi i plotë:
Njohja nga Izraeli është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë. Kjo edhe njëherë dëshmoi se që nga shpallja e pavarësisë sonë, Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës.
Në anën tjetër, delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit qe një kohë të gjatë:
Njohjen e ndërsjellë me Serbinë
Mosnegociimin e shfrytëzimit të resurseve (siç është Ujmani)
Mospranimin e Mini-Schengenit (ose siç e quanin mini-Jugosllavi)
Mosprekjen e kushtetutës dhe deklaratës së pavarësisë (meqë për 1 vit u hoq dorë dhe u shpall moratorium mbi nenin 17 të kushtetutës dhe nenet 8 e 9 të deklaratës së pavarësisë)
Rezultate konkrete për të pagjeturit
Dëmshpërblim për reparacionet e luftës
Përgjegjësi të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë
Eliminim të plotë të barierave jotarifore që Serbia i ka vënë Kosovës.