Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë sërish kërkesë zyrtare për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në kërkesën drejtuar kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, Avni Dehari, PDK-ja thekson se procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme. (gazetametro.net)
PDK-ja i rikujton Deharit se roli i tij si kryesues i seancës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.
“Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit”, thuhet në kërkesën e PDK-së.
Sipas PDK-së, nuk është në kompetencën e kryesuesit që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosë nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit.
Partia kërkon që seanca të vazhdojë dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.


