Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, me rastin e “Ditës së Rinisë”, ka emëruar nxënësen e Gjimnazit “Ismail Qemali”, Erza Shillova, Kryetare të Komunës, me qëllim që kjo ditë të shënohet në mënyrë simbolike dhe t’i kushtohet vëmendje rolit dhe potencialit të të rinjve në shoqëri.
Kryetari Rahimaj së bashku me Nënkryetaren Arta Bajralija dhe Kryesuesen e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, e pritën në një takim solemn nxënësen Shillova në zyrën e tij, ku ia dorëzuan simbolikisht mandatin dhe e njohën me stafin komunal, si dhe me sektorët dhe drejtoritë që funksionojnë në kuadër të komunës.
“Është nder dhe kënaqësi që sot pikërisht në ‘Ditën e Rinisë’, t’ia dorëzoj simbolikisht mandatin e kryetarit një nxënëseje të shkëlqyeshme. Kjo është një mënyrë për t’ua kujtuar të gjithë të rinjve se edhe ëndrrat më të mëdha mund të bëhen realitet nëse përcillen me punë, përkushtim dhe besim në vetvete. I uroj të gjithë të rinjtë e komunës sonë për këtë ditë dhe i siguroj se qëllimi ynë mbetet të punojmë çdo ditë për mirëqenien dhe të ardhmen e tyre”, është shprehur Kryetari Rahimaj.
Kryetarja e re simbolike mori pjesë edhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal për të parë nga afër mënyrën se si zhvillohen punimet dhe vendimmarrja në institucionin më të lartë përfaqësues të komunës. Ajo theksoi se për të është një nder i veçantë që për një ditë të ushtrojë simbolikisht funksionin e Kryetares së Komunës.
“E falënderoj Kryetarin Rahimaj për besimin dhe mundësinë që ma dha të jem pjesë e kësaj përvoje. Është një nder i madh por edhe përgjegjësi të jem pranë jush dhe të shoh nga afër punën që bëhet për qytetarët. I uroj të gjithë të rinjtë për këtë ditë dhe i inkurajoj që të mos dekurajohen, por të vazhdojnë të punojnë dhe të luftojnë për ëndrrat e tyre, derisa ato të bëhen realitet”, është shprehur Shillova.
Më pas ajo vizitoi drejtoritë komunale dhe disa nga zyrat kryesore të administratës, përfshirë Zyrën Ligjore, Zyrën e Auditimit, Zyrën për Informim, Zyrën e Gjendjes Civile dhe sektorë të tjerë komunalë.
Po ashtu kryetarja Shillova zhvilloi një takim edhe me përfaqësuesin e OSBE-së, Faruk Dërmaku, me të cilin u njoftua për projektet dhe programet që kjo organizatë realizon për të rinjtë.
Agjenda e saj vazhdoi me vizita dhe takime të tjera me të rinjtë e komunës me të cilët zhvilloi bashkëbisedime mbi çështje që lidhen me arsimin, angazhimin rinor, mundësitë për zhvillim dhe perspektivën e të rinjve në komunën tonë.

