Atmosfera e derbit tashmë ka përfshirë qytetin e Gjilanit, ndërsa nga kampi i FC Dritës kanë ardhur mesazhe të qarta motivuese dhe optimiste në prag të përballjes së shumëpritur ndaj rivalit lokal, SC Gjilanit.
Në konferencën për media para ndeshjes, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, u shpreh se ekipi është maksimalisht i përgatitur për derbin, duke potencuar rëndësinë e mbështetjes nga tifozët në një sfidë të tillë.
“U bëj thirrje tifozëve që nesër t’i motivojnë lojtarët, sepse unë nuk kam më çfarë t’u them për t’i motivuar më shumë”, deklaroi Ramadani.
Tekniku bardhekaltër theksoi se ndeshje të tilla nuk kanë nevojë për motiv shtesë, pasi vetë pesha e derbit dhe rivaliteti lokal janë motivim i mjaftueshëm për futbollistët.
Në anën tjetër, mesfushori Albert Dabiqaj u shpreh i lumtur dhe krenar që skuadra ka mundësinë ta festojë titullin pikërisht në një ndeshje ndaj rivalit lokal.
“Kënaqësi e madhe ta festojmë titullin kundër rivalit lokal. Shpresoj gjithashtu edhe të fitojmë”, u shpreh Dabiqaj.
Derbi ndërmjet Dritës dhe Gjilanit pritet të sjellë një atmosferë elektrizuese, me interesim të jashtëzakonshëm nga tifozët e të dy skuadrave. Përballjet mes këtyre dy ekipeve tradicionalisht kanë qenë të mbushura me emocione, rivalitet dhe spektakël në tribuna.
Të gjitha sytë tashmë janë drejt stadiumit, aty ku pritet të zhvillohet një tjetër kapitull i madh i futbollit gjilanas.

