Shkruan: Avni Rudaku
Kryetar i Gjilanit, lidhi qentë endacakë!
Pavarësisht se gjilanasit mbesin ndër qytetarët që më së shumti rrotullojnë partitë politike dhe askush nuk e ka me tapi, Kryetari i ri në moshë kalendarike, ende po drejton Komunën e Gjilanit në mënyrë të zbehtë dhe nuk e kallxon veten. Ende nuk po lë gjurmë, të paktën nëse do t’i zgjidhte disa probleme që në dukje janë të vogla, por me pasoja të rënda psikologjike (trauma, fobi, ankth) dhe me rrezik për lëndime fizike e në mos më keq, me humbje të jetës së ndokujt nga qentë endacakë.
Qentë pa pronarë mbesin problem i qytetit dhe sfidë ndërkomunale, madje edhe ndërkufitare (qentë vijnë edhe nga Serbia e Maqedonia e Veriut).
Për çdo ditë, mbesa e vogël frikësohet nga turma e qenve që rrinë në kopsht të shkollës fillore “Selami Hallaçi”, aty ku i ndjek mësimet dhe kur shkon e vjen nga shkolla kah parku i lojërave në Dardania 1 dhe pranë çerdhes.
Para pak javësh, bashkëshortja shtatzënë deshi fati t’i shpëtonte një tentim sulmi duke hyrë në vendin e punës.
Punëtoret e shumta di që marrin me vete mjete piroteknike për çdo ditë pune, ose detyrohen të marrin taksin, vetëm t’i kalojnë qentë endacakë.
Shumë prindër detyrohen t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, veç për shkak të qenve, dhe më rrallë, edhe për shkak të tejkalimit të shpejtësisë së lejuar brends vendbanimit nga disa shoferë pa vetëkontrollin në adrenalinë dhe me kompleksin për vëmendje sociale përreth kafebareve me karriget jashtë në formë spektatorësh.
Qentë endacakë u bënë me një rast tragjik, shkas edhe për emigrim të një familjeje.
Qentë endacakë janë ndër faktorët e prishjes së lumturisë së përditshme nga fëmijëria jonë.
Kryetar Komune, nëse nuk je në gjendje një problem jetëgjatë që nuk e zgjidhi një ish-Kryetar që merrej me tema nacionale e nuk merrej seriozisht me problemet lokale, çfarë të pritet diçka më e madhe nga ju?!
Si ndjehesh kur je i pari i shtëpisë me rreth 100 mijë banorë, pa përcaktuar shifrën e saktë më të ulët nga ASK dhe nga emigrimi i lartë, e nuk je në gjendje një problem të qenve endacakë ta zgjidhësh?
Çfarë të duhet posti?
Çfarë krenarie të mbetet në qeverisje kur i sheh qentë endacakë ngado?
Pse nuk bashkëpunon edhe me Eko-Higjienën e t’i detyrosh bizneset e mëdha t’i mbulojnë kontinjerët e mbeturinave, sepse kudo ku ka menaxhim të dobët të shportave të mbeturinave, ka përreth edhe qenë endacakë, meqë kërkojnë pikërisht aty ushqimin dhe bëhen agresiv?!
Pse nuk e shpall si me qenë gjendje e jashtëzakonshme veç për qentë endacakë dhe një muaj ditë, të bësh çdo gjë, konsultime, politika, investime, që ta zgjidhësh problemin e strehimit të qenve?
Pse nuk takohesh me pronarë restorantesh, Burgun në Pasjak dhe institucionet e tjera, që ushqimin që e hedhin, ta grumbullojnë për strehimoren e qenve në një vend të lokalizuar?
Pse nuk kërkon ndihmë nga Qeveria dhe të shkosh bashkë edhe me Kryetarin e Kamenicës, Vitisë, Ferizajt e Novobërdës e t’i bashkoni forcat, sepse është edhe problem ndërkomunal?
Pse nuk takohesh edhe me Kryetarin e Bujanocit e Preshevës, pasi qentë vijnë edhe nga Serbia?
Pse nuk takohesh me veterinarë dhe mbrojtës të drejtave të kafshëve?
Pse nuk i shpall qytetarë nderi personat që i duan qentë dhe duan të bëhen pronarë të qenve endacakë? Emrat e tyre të vendosen kudo në pano të qytetit, që ndihmuan komunën e varfër e me shumë borxhe shpronësimi edhe nga qeverisja e papërgjegjshme e koalicionit të kaluar LDK-AAK?
Pse aq i ri Kryetar dhe nuk ndryshon mentalitetin qeverisës e nuk e krijon një ekip të fortë profesionistësh në komunë?
Të njoh si djalosh, por fatkeqësisht, nuk po i përvjel mëngët e t’i zgjidhësh problemet elementare të Gjilanit.
Herët je vetëkënaqur dhe po ta bëjnë “rrafsh” dashamirët përreth!
Dije se unë ta dua më shumë të mirën se dikush tjetër. Të mirën ta do veç dikush që vazhdimisht t’i adreson para fytyrës, problemet e përditshme me të cilat po ballafaqohemi ne që ende nuk kemi vendosur të emigrojmë.
Kryetar, nise me një energji të re. Nëse do, të mbahesh mend, fillo menjëherë. Me problemet që të duken të vogla, si qentë endacakë. Me trotuarin e bllokuar nga perimeshitësit dhe frutashitësit. Në të kundërtën, jo që nuk do të bëhesh model kryetari në Kosovë, siç të krekosën disa në një emision televiziv, por s’do të mbahesh mend si model as për qytetarët e komunës tënde. Ji konkret, pa cinizëm, pa arrogancë dhe tako qytetarë jashtë partisë e kabinetit. Mos u vetëkënaq çfarë të lavdërojnë njerëzit përreth teje. Zbehtë, Kryetar. Zbehtë! Kryetar light!
Kryetar, lidhi qentë! Po shumohen çdo ditë, qoftë duke u çiftëzuar sepse nuk po sterilizohen të gjithë, disa po lirohen nga pronarë të papërgjegjshëm, disa po vijnë nga territore të tjera, disa po grumbullohen rreth shportave të mbeturinave pa kapakë, e disa janë inteligjentë, rrinë afër qebaptoreve, dynerave, mishtoreve. Mjerë banorët ku nuk ka ndriçim publik dhe mbeturina, e u dalin befas qentë endacakë! Mos prit regjistrimin e tejzgjatur të qenve nga niveli qendror. Janë të ngathtë!
Kryetar, lidhi qentë endacakë!
Strehoji diku!
Bëji zgjidhje, sepse kur njeriu e zbuti qenin nga familja e ujqërve, e ka obligim të kujdeset për ta! Pa njeriun, qentë nuk mbijetojnë dot, kurse ujku, gjindet vetvetiu!
Edhe 30 ide jam në gjendje t’i diskutoj me ty, pa asnjë kosto buxhetore për Komunën.
Vetëm shfaq vullnet, ama mos ma luaj të naltin. Se për mendjemadh, s’ta lëshoj udhën!
Thjesht, shfaq vullnet e ta zgjidhim të gjithë së bashku, këtë problem të vogël, problem madhor dhe jetëgjatë!