Stomatologu Dr. Elbasan Tahiri mori pjesë në një kurs të avancuar ndërkombëtar të Kirurgjisë Orale dhe Implantologjisë, i zhvilluar mbi preparate anatomike humane (cadavera) në Institutin Neuromed në Pozzilli. Ky trajnim i specializuar përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe përditësimin e njohurive në fushën e stomatologjisë moderne.
Gjatë kursit, Dr. Tahiri pati mundësinë të punojë në kushte reale anatomike, duke përvetësuar teknika të avancuara kirurgjikale dhe duke thelluar njohuritë në procedurat bashkëkohore të implantologjisë dhe kirurgjisë orale. Përvoja e fituar pritet të reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve që ai ofron për pacientët në praktikën e tij të përditshme.
“Ky trajnim ishte një përvojë jashtëzakonisht e vlefshme, që më ndihmoi të zgjeroj njohuritë profesionale dhe të përmirësoj aftësitë kirurgjikale. Njohuritë e fituara do të jenë një vlerë e shtuar në trajtimin dhe kujdesin ndaj pacientëve”, u shpreh Dr. Tahiri.
Një vlerësim i veçantë iu kushtua profesorëve të njohur Dr. Diego Salvi dhe Dr. Angelo Cardarelli për profesionalizmin, përkushtimin dhe gatishmërinë në ndarjen e eksperiencës së tyre akademike dhe klinike. Po ashtu, falënderime të veçanta për organizatorin Edmond Mema, i cili mundësoi realizimin me sukses të këtij programi trajnues.
Pjesëmarrja në aktivitete të tilla profesionale dëshmon përkushtimin e Dr. Elbasan Tahirit ndaj edukimit të vazhdueshëm dhe aplikimit të standardeve më të avancuara ndërkombëtare në stomatologji, me qëllim ofrimin e trajtimeve sa më cilësore dhe bashkëkohore për pacientët.

