NJOFTIM MORTOR
Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se sot ndërroi jetë tragjikisht legjenda jonë, njëri ndër themeluesit e parë të klubit, Presidenti i Nderit i KF Studenti, Aga Rexhë (Haxhi Rexhep Kryeziu), duke na lënë një boshllëk të madh në familjen tonë sportive dhe në gjithë komunitetin.
Aga Rexhë ishte shumë më tepër se një drejtues e lojtar i klubit. Ai ishte shtylla mbi të cilën u ngrit KF Studenti, një njeri që me përkushtim, sakrificë dhe dashuri të pakushtëzuar punoi për dekada për rritjen dhe zhvillimin e klubit. Në kohët më të vështira, ai nuk u dorëzua kurrë, duke përballuar sfida të shumta për ta mbajtur gjallë emrin dhe frymën e KF Studentit.
Kontributi i tij nuk matet vetëm me vitet e shërbimit, por me gjurmën e pashlyeshme që la në historinë e klubit dhe në zemrat e brezave të tërë të futbollistëve dhe sportdashësve.
Sot, KF Studenti humbi një prej figurave më të mëdha të historisë së tij, ndërsa ne humbëm një njeri të urtë, një mik dhe një shembull të përkushtimit e besnikërisë.
Në emër të Kryesisë, futbollistëve, stafit dhe gjithë familjes së KF Studentit, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Kryeziu, të afërmve, shokëve të tij dhe gjithë komunitetit sportiv!
Vitin që shkoi, pikërisht me 26 korrik 2025, në shënimin e përvjetorit të 50të të klubit, ne patëm kënaqësinë që për kontributin e tij jetësor për klubin, ta shpallim “President Nderi”!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Agën Rexhë!

