Pas arrestimit nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pezulluar nga detyra gjyqtarin Avdirrahman Gashi.
Vendimi është marrë gjatë takimit të 371-të të Këshillit, i cili u mbajt me dyer të mbyllura.
Përmes një njoftimi zyrtar, KGJK bëri të ditur se pas analizimit të rastit disiplinor është themeluar paneli hetimor dhe është vendosur pezullimi i gjyqtarit deri në një vendim tjetër.
Më 15 gusht, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte caktuar Gashit masën e paraburgimit prej një muaji, vendim ky që më pas u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit.

