Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Dobërqan të Gjilanit, ku një 75-vjeçar ka humbur jetën teksa kishte hyrë në një bunar për ta pastruar. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të Policisë së Kosovës dhe njësive të zjarrfikësve, personi nuk arriti të mbijetojë.
Lajmin për Radio Star e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, togeri Ismet Hashani, i cili tha se policia ka pranuar informacion për rastin rreth orës 14:23 dhe menjëherë ka dërguar njësitet patrulluese në vendin e ngjarjes. Sipas tij, bazuar në hetimet e para, dyshohet se viktima kishte rënë në bunar gjatë kohës që po e pastronte atë.
Hashani bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe zjarrfikësit, të cilët kanë bërë zbrazjen e bunarit dhe më pas kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndërkohë, njësitet e hetimeve rajonale dhe forenzika janë duke i hetuar rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike.

