14 policë të Stacionit të Gjilanit kanë ngritur ankesa ndaj rreshterit Bulent Zenuni për favorizime, ofendime dhe abuzim me autoritetin, duke pretenduar se pas ankesave janë degraduar dhe transferuar ndëshkueshëm.
14 ankesa të ndara nga zyrtarë policorë të Stacionit të Gjilanit janë drejtuar te strukturat komanduese të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Në to, mbikëqyrësi i ndërrimit, Bulent Zenuni, akuzohet për favorizim të zyrtarëve të caktuar në ndarjen e detyrave dhe pozitave, ndikim personal në vendimmarrje dhe krijim të grupeve brenda ndërrimit – madje edhe për ofendime të rënda ndaj disa zyrtarëve policorë.
VOX Kosova ka siguruar të gjitha ankesat, por për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit të zyrtarëve policorë, ato nuk do të publikohen të plota.
“Truri yt është shumë i vogël dhe nuk do të rritet më shumë” – me këto fjalë, sipas një ankese, Zenuni u drejtohej disa policëve gjatë mbledhjeve.
Një tjetër polic e akuzon Zenunin se ka krijuar grupacione të brendshme, duke favorizuar disa zyrtarë policorë të caktuar.
Një polici madje i thoshte: “Ti nuk je polic, nuk do të bëhesh kurrë polic dhe me ty nuk do të jem kurrë i drejtë”.
Por, në vend që të nisin procedura për hetimin dhe analizimin e këtyre akuzave, zyrtarëve policorë që patën guximin të ankohen u është kthyer edhe më keq.
Secili prej tyre, të 14-tit, u degraduan në forma të ndryshme.
Një zyrtar policor u transferua nga ndërrimi B në task-forcën e stacionit.
Një tjetër nga ndërrimi B në ndërrimin C.
Disa të tjerë nga Gjilani janë transferuar në nënstacione, si në Zhegër e Viti.
Kjo për ta nënkupton më pak orë shtesë dhe, rrjedhimisht, më pak të hyra në pagë.
VOX Kosova ka pyetur rreshterin Bulent Zenuni për ankesat në drejtim të tij, por ai nuk është përgjigjur.
Kjo nuk është hera e parë që ai përdor autoritetin e tij për të degraduar zyrtarë policorë.
Në vitin 2024, Zenuni e transferoi policin Jeton Daku nga stacioni në Gjilan në nënstacionin në Zhegër, vetëm pse i njëjti e kishte gjobitur në trafik prokurorin Agron Uka.
Më pas, Inspektorati Policor e ktheu policin Daku në detyrën e mëparshme në Gjilan.
Për më tepër, rreshteri Bulent Zenuni ishte arrestuar në vitin 2016 nën dyshimet për dallavere me toka. Rasti kishte përfunduar pa aktakuzë dhe, si rezultat, ai ishte kthyer në detyrë.
Inspektorati Policor i Kosovës, në një përgjigje për VOX Kosova, tha se nuk kanë pranuar asnjë ankesë ndaj rreshterit Zenuni.
Në fakt, Inspektorati tregoi se tek ta u deponua një ankesë nga Bulent Zenuni ndaj zyrtarëve tjerë policorë – pikërisht për këta që u ankuan në Gjilan për të.
E njëjta ankesë, thuhet nga IPK-ja, është dërguar për hetim disiplinor në Departamentin e Hetimeve të Brendshme në Policinë e Kosovës./voxkosova/

