Lajme

Uran Ismaili jep dorëheqje nga mandati i deputetit: Dua t’i përkushtohem Prishtinës

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili, ka dorëzuar mandatin e tij të deputetit të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Ismaili u shpreh se tani vullneti dhe dëshira e tij janë që t’i përkushtohet tërësisht Prishtinës, si kandidat për kryetar.

“Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë- Prishtinës – dhe do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim”, ka thënë Ismaili në një konferencë për media.

Uran Ismaili ishte më i votuari nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ndër më të votuarit në Kosovë, me rreth 27 mijë vota.

Fjalimi i tij i plotë:

“Sot dhashë dorëheqjen time nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që më votuan dhe më dhanë nderin dhe privilegjin për t’i përfaqësuar në Kuvend.

Ky funksion, megjithatë, besoj se është i papajtueshëm me qëllimin tim për t’u bërë Kryetari i ardhshëm i Prishtinës.

Si Kryetar i Prishtinës, detyra ime do të jetë t’u shërbej të gjithë qytetarëve;

Të bashkoj të gjithë qytetarët në rregullimin e problemeve të jetës sonë të përditshme.

Të punojmë në mënyrë që ta bëjmë Prishtinën një vend më të mirë për të gjithë.

Dhe kur them për të gjithë, e kam fjalën për të gjithë.

Kuvendi për nga natyra e tij është konfrontues dhe ngjyrat e partive politike dinë të jenë përçarëse.

Kjo nuk është e dobishme për qytetin tonë, për komunitetin tonë, për familjen tonë.

Një kryetar i mirë nuk qeverisë në bazë të ngjyrave partiake. Dhe unë e kam ndërmend të jem një kryetar i mirë.

Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë Prishtinës dhe do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim.

Edhe kjo që po e bëj sot, është se unë po tërhiqem një hap prapa nga politika e përditshme sepse kam besim se me mbështetjen e bashkëqytetarëve të mi të Prishtinës, më 17 tetor, ne do të nisim shndërrimin e Prishtinës në një qytet të pastër, të gjelbër e të sigurt.

Në një qytet digjital modern.

Në një qytet miqësor për qytetarët e tij, dhe në një destinacion atraktiv për vizitorët e tij.

E në këtë qëllim, Prishtina na bashkon të gjithëve.

Faleminderit.”

Shiko tekstin me te zgjeruar

Related Articles

Back to top button
Close