Sot në Lipjan zhvillohet ndeshja çerekfinale e Kupës së Kosovës mes FC Dritës dhe Prishtinës së Re. Skuadra gjilanase arriti në këtë fazë pasi eliminoi Dukagjinin pas një dueli të fortë që u vendos përmes penaltive.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, në prag të kësaj përballjeje ka theksuar se Prishtina e Re është një kundërshtar që duhet respektuar, duke pasur parasysh rezultatet e mira të saj në Ligën e Parë. “Bëhet fjalë për një skuadër me shumë kualitet. Ne kemi objektiva në të dyja frontet dhe kemi kapacitetin për të luftuar si në kampionat, ashtu edhe në Kupë deri në finale,” tha Ramadani.
Ai shtoi se pret një ndeshje të vështirë, pasi Drita luan si mysafire, por shprehu besim të plotë në skuadër dhe cilësinë e lojtarëve. “Do të japim maksimumin dhe synojmë të kalojmë në gjysmëfinale,” përfundoi trajneri Ramadani.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, me fillim nga ora 13:00.