“Që nga data 8 tetor 2024, kryetari i Gjilanit Alban Hyseni e ka injoruar tërësisht kërkesën urgjente të Universitetit Kadri Zeka, për dhënien në shfrytëzim të parcelës në kompleksin e shkollave të mesme, për t’i hapur rrugë investimeve të reja në UKZ”, ka thënë Riad Rashit, kryetar i PDK-së së Gjilanit.
Sipas tij, pas pesë muaj heshtje të tij, ai sot ka ftuar seancë urgjente të Kuvendit Komunal, kinse në kordinim me përfaqësuesit politik. Çfarë hipokriti tipik është ky kryetar komune.
Rashiti thotë se propozimi i tij, për dhënien në shfrytëzim të shkollës së mesme të bujqësisë në lagjen e Zabelit, për kinse ndërtimin në ato hapësira aty, të kampusit të ri të Universitetit Kadri Zeka.
Andaj, shton kreu i PDK-së së Gjilanit, një propozim i tillë është i papranueshëm për PDK-në, për këto arsye:
1. Është i kundërligjshëm sepse është në kundërshtim me kushtetutën e Gjilanit që quhet PZHK. Ai po manipulon duke thënë se aty mund të ndërtohet kampusi i universitetit në këtë formë klandestine.
2. Është në kundërshtim me donacionin e shtetit të Danimarkës përmes organizatës DANIDA, e cila e ka investuar 1.5 milion për ndërtimin e shkollës së mesme të bujqësisë dhe ne si PDK jemi kundër zhdukjes së kësaj shkolle të mesme edhe pse qeverisja e VV-së ia ka vendos drynin moti kësaj shkolle.
3. Është në kundërshtim me buxhetin komunal që është miratuar për vitin 2025, ku me propozimin e PDK-së është ndarë buxhet dhe janë planifikuar investime dhe subvencione/bursa për nxënësit e shkollës së mesme të bujqësisë.
4. Është në kundërshtim me kërkesën e parë të UKZ. Poashtu edhe i gjithë stafi i universitetit është kundër propozimit të kryetarit të komunës dhe të gjithë studentët e Gjilanit.
5. Nuk janë zbatuar asnjë procedurë ligjore për këtë propozim, nuk ka pasur kurfarë dëgjimi publik dhe nuk janë konsultuar fare trupat profesionale të komiteteve të Kuvendit Komunal.
Rashiti ka thënë se për Partinë Demokratike të Kosovës e vetmja zgjidhje e përkohshme është realizimi i kërkesës së parë të UKZ-së, lejimi për ndërtimin e një objekti shtesë te kompleksi i shkollave të mesme. Për këtë zgjidhje PDK do të votojë në njërën nga seancat e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal.
I pari i PDK-së së Gjilanit thotë se përderisa të miratohet Plani Zhvillimor Komunal i ri (PZHK-ja) në Kuvendin Komunal, ai nuk do të mund asnjëherë të caktojë lokacion të ri të kampusit universitar. Sepse Komuna e Gjilanit ende e ka në fuqi një PZHK të vitit 2008 dhe kampusi i ri i UKZ është i planifikuar të ndërtohet te baza e FSK-së në Gjilan. Kryetari i Gjilanit e ka obligim ligjor që t’a respektojë këtë dokument-kushtetutë të planifikimit urban.
“Është për keqardhje në çfarë gjendje e ka sjellë ky kryetar i dështuar komunën e Gjilanit. E vetmja e arritur në qeverisjen e tij, është avancimi në një manipulues profesional dhe i paparë. Me veprimet e tij politike, është duke tentuar që opozitën ta paraqesë si pengesë të projekteve dhe zhvillimeve pozitive për Gjilanin”, thotë Rashiti.
Sipas tij, këtë gjendje të jashtëzakonshme për tri vite e ka krijuar ky kryetar komune i paaftë për me qeverisë me Gjilanin.
”E në muajt e fundit të mandatit, gjithçka po e ka me urgjencë, por të kota janë krejt lojërat e tij politike. Fundin është kah e sheh mirë”, ka thënë Riad Rashiti, kreu i PDK-së së Gjilanit.