Pakënaqësia e qytetarëve të Gjilanit po rritet dita-ditës për shkak të zvarritjes së disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore të nisura nga Komuna e Gjilanit. Shumë prej tyre po vënë në pikëpyetje realizimin dhe afatet e përfundimit të projekteve që janë promovuar nga kryetari i komunës, Alban Hyseni.
Qytetarët shprehen se mungesa e informacionit të qartë rreth datave të përfundimit ka krijuar pasiguri dhe frustrim, sidomos në prag të sezonit veror, kur pritet ardhja e bashkatdhetarëve nga diaspora.
Një nga projektet më të përfolura mbetet rruga “Hamdi Kurteshi”, punimet e së cilës kanë nisur prej kohësh, por ende nuk kanë marrë fund. Banorët e zonës ankohen se përballen çdo ditë me vështirësi në qarkullim dhe me mungesën e një afati konkret se kur do të përfundojnë punimet.
Po ashtu, shqetësim i madh mbetet edhe ndërtimi i Palestrës së Sporteve. Edhe pse projekti është prezantuar si një investim i rëndësishëm për sportin në qytet, punimet ende nuk kanë arritur në fazën e përfundimit. Si pasojë, KB Drita pritet që edhe këtë sezon të zhvillojë ndeshjet në një palestër tjetër, duke privuar tifozët dhe sportdashësit gjilanas nga mundësia për të ndjekur ekipin e tyre në qytetin e tyre.
Qytetarët kërkojnë më shumë transparencë nga institucionet komunale dhe një plan të qartë për përfundimin e projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme. Sipas tyre, Gjilani nuk duhet të vazhdojë të përballet me rrugë të papërfunduara dhe projekte të stërzgjatura, ndërsa afatet mbeten të paqarta.
Mbetet të shihet nëse Komuna e Gjilanit do të dalë me një sqarim zyrtar dhe me data konkrete për përfundimin e këtyre projekteve, të cilat tashmë janë kthyer në një nga temat më të diskutuara mes qytetarëve./Radio Star/

