Elona Sadiku, soprano, ndonëse e re në moshë ka bërë emër në muzikën klasike tek ne. Pos në shumë projekte të Filarmonisë së Kosovës, ajo me shumë sukses po paraqitet edhe në operat që i ka realizuar Opera e Kosovës. Ajo është paraqitur në operën me temë shqiptare “Goca e Kaçanikut” të kompozitorit Rauf Dhomi me regjinë e mjeshtrit Nikolin Gurakuqi dhe dirigjimin e maestro Edon Ramadani e më pas edhe në operën “Carmen” të kompozitorit të njohur francez Zhorzh Bize (Georges Biset) e tash së fundi edhe në operën “Gianni Schicchi” nga kompozitori Italian Xhakomo Puqini (Giacomo Puccini. Pas suksesit të madh të kësaj opere, e cila në javën që lamë pas pati premierën dhe reprizën, solokëngëtarja Elona Sadiku, thotë të ketë patur nderin që sërish të jetë pjesë e Operës së Kosovës në operën “Gianni Schicchi” nga G. Puccini, duke interpretuar rolin e Nella-s.
“Ishte një përvojë e bukur të ndaj skenën me artistë të mrekullueshëm e të nivelit botëror, me një orkestër fantastike nën dirigjimin e maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli, si dhe me regji nga maestro Luca Ramacciotti”, ka theksuar solokëngëtarja Elona Sadiku./kryelajmi.com/.

