Avokati Afrim Salihu ka vlerësuar se Faton Bislimi është një nga emrat që duhet të konsiderohet seriozisht për President të Kosovës, duke e cilësuar si figurë unifikuese dhe me kredibilitet ndërkombëtar.
Opinoni:
Në këtë moment politik dhe institucional, mendoj se Faton Bislimi është një prej emrave që meriton seriozisht të konsiderohet për President të Republikës së Kosovës.
Kosovës sot i duhet një President që nuk shihet si zgjatim i një partie politike, por si figurë unifikuese, institucionale dhe shtetërore, që mund të komunikojë me të gjitha partitë dhe të përfaqësojë interesin e vendit mbi interesin partiak.
Fatoni ka përgatitje të lartë akademike dhe ndërkombëtare, ka studiuar në SHBA, në Harvard Kennedy School dhe në Kanada, njeh shumë mirë marrëdhëniet ndërkombëtare, administratën publike dhe proceset politike. Anglishten e zotëron në nivel shumë të lartë, ka oratori të fuqishme dhe di ta paraqesë një çështje me argument, qartësi dhe bindje.
Ajo që e dallon është edhe karakteri i tij: ka qëndrim politikani, është këmbëngulës, i vendosur, i disiplinuar dhe vështirë të lëkundet kur beson se një çështje është në interes të Kosovës. Është njeri analitik, i matur në komunikim, por njëkohësisht i drejtpërdrejtë kur duhet të mbrojë një qëndrim. Këto janë cilësi shumë të rëndësishme për një President.
Për shumë vite ka ndërtuar lidhje me qarqet shqiptaro-amerikane dhe me njerëz me ndikim në Washington. Bashkëpunimi i tij i gjatë me Joseph DioGuardin, Shirley Cloyes DioGuardin dhe William Walkerin tregon se këto marrëdhënie nuk janë krijuar sot për një kandidaturë, por janë ndërtuar ndër vite. Për Kosovën, në një kohë kur raporti me SHBA-në dhe partnerët perëndimorë është jetik, kjo përvojë është kapital i rëndësishëm.
Fatonin e njoh edhe personalisht. Kemi punuar së bashku pas luftës së vitit 1999 në kampet amerikane Monteith dhe Bondsteel dhe vijmë nga i njëjti qytet ku jam rritur edhe unë. Këtë e përmend vetëm sepse kam pasur mundësi ta njoh edhe jashtë politikës dhe para posteve publike.
Nga këndvështrimi juridik dhe institucional, Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e popullit dhe shtetin, jo konfliktin ndërmjet partive. Pikërisht këtu mendoj se Fatoni mund të kishte një rol të veçantë: të ishte një emër rreth të cilit partitë mund të gjenin kompromis pa u ndjerë asnjëra humbëse.
Në këtë fazë delikate, Kosovës i duhet një President me dije, karakter, kredibilitet ndërkombëtar, lidhje të forta me aleatët dhe aftësi për të bashkuar, jo për të ndarë.
Faton Bislimi, sipas mendimit tim, i ka shumë prej këtyre cilësive dhe do të mund të ishte një zgjedhje serioze për ta nxjerrë Kosovën nga ngërçi politik dhe për ta përfaqësuar me dinjitet në fazën e ardhshme të shtetndërtimit.

