Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për të premten në ora 11:00.
Ky vendim për shtyrjen erdhi pas deklaratës së deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë procedurës së propozimit të nënkryetarit nga komuniteti serb.
Simiq, në fjalën e tij para deputetëve, deklaroi se propozimi po bëhet “në emër të popullit serb”, deklaratë nga e cila ai nuk u tërhoq.
Pas kthimit nga pauza, e para e Kuvendit, Albulena Haxhiu u përplas me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, duke i kërkuar ta tërheqë fjalimin e propozimit paraprak për nënkryetar.
Ajo tha se kjo deklaratë bie ndesh me Kushtetutën dhe i kërkoi ta tërheqë fjalimin, por Simiq refuzoi.
Pas kësaj, Haxhiu tha se nuk ka dakordim për mënyrën e votimit për nënkryetarë të Kuvendit dhe si rrjedhojë “duhet dakordim”.










