Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) po intensifikon koordinimin ndërinstitucional për mbikëqyrjen e tregtisë online në Republikën e Kosovës, në prag të fillimit të aksionit të inspektimeve, më 2 nëntor 2026.
Në kuadër të përgatitjeve për këtë aksion, zëvendësministri i MINTI, Fatban Bunjaku, së bashku me përfaqësues të kabinetit të ministres Kusari-Lila dhe përfaqësues të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, janë takuar me përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) Nazim Rahimi, kryetar i Bordit, Sejdë Tolaj, drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Marcelë Restelica Ponosheci nga Departamenti Ligjor, nga të cilët kanë marrë konfirmimin për mbështetjen e aksionit, përfshirë angazhimin e inspektorëve të këtij institucioni.
Paralelisht, takime koordinuese po zhvillohen edhe me zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të rritjes së efikasitetit të mbikëqyrjes së tregtisë online në vendin tonë.
Ndërkohë, shenjat e para të formalizimit të këtij sektori reflektojne edhe ne rritjen e pergjithshme te numrit bizneseve te regjistruara gjate muajit Tetor.. janë inkurajuese. Nga data 1 Tetor e deri me sot janë regjistruar gjithsej 1,754 biznese, duke shënuar rritje prej 100% krahasuar me muajt paraprakë.
MINTI u bën thirrje të gjithë individëve dhe bizneseve që ushtrojnë veprimtari ekonomike online dhe që ende nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), që ta formalizojnë veprimtarinë e tyre sa më parë. Regjistrimi dhe ushtrimi i veprimtarisë në përputhje me legjislacionin në fuqi janë të domosdoshëm për një treg të rregullt dhe për shmangien e masave ndëshkuese që mund të pasojnë nga kontrollet inspektuese.
Aksioni i inspektimeve fillon të hënën, më 2 nëntor 2026. MINTI, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë angazhimin për mbikëqyrjen e tregtisë online dhe formalizimin e këtij sektori në Republikën e Kosovës.










