Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor të këtij viti ka rritur në 100 për qind taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Derisa kjo masë nuk u prit mirë nga ndërkombëtarët të cilët vazhdimisht kërkojnë që kjo taksë të largohet, subjektet në pozitë, opozita, bizneset, qytetarët e ekspertë të ekonomisë e kanë mirëpritur taksën e vendosur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe të miratuar nga Qeveria.
Komisioneri për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn gjatë një konference për shtyp pas takimit me liderët e institucioneve në Kosovë, tha se taksa doganore është kundër parimeve të Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe zgjidhja e çështjeve duhet të bëhet në mënyrë bilaterale.
Hahn ka thënë se në takimet me liderët ka qenë i fokusuar në zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me tregtinë për dy vendet.
“Ne të gjithë kemi qenë të befasuar dhe në një mënyrë të zhgënjyer dhe kjo nuk është diçka që nuk duhet të mbetet në fuqi. Kam ofruar që të fokusohemi në mënyrë specifike rreth këtyre çështjeve që kanë të bëjnë me tregtinë dhe t’i zgjidhim sa më shpejt që është e mundur. Që të kontribuojmë në dialogun që është i rëndësishëm jo vetëm për dy vendet, por edhe për rajonin”, ka thënë Hahn.
Pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Hahn ka shkruar në Twitter se po pengohet zbatimi i marrëveshjes së CEFTA-së dhe REA-së, sa i përket bashkëpunimit rajonal.
E përfaqësues të biznesit, deklaratën e Komisionarit Hahn e shohin si një kërcënim të hapur ndaj bizneseve kosovare.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, për Telegrafin tha se pas deklaratave të Hahnit, shumë investitorë do të mendojnë se gjendja në Kosovë është shumë e keqe.
“Komisionari Hahn dje bëri një kërcënim të hapur ndaj qytetarëve dhe bizneseve për mos heqjen e taksës [ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës]. Kjo është një zhbërje e madhe e disa raporteve që kanë ndërtuar qoftë me faktorin ndërkombëtar dhe bërja e biznesit do të vështirësohet edhe më shumë për shkak se në shumë media ndërkombëtare është publikuar vizita dhe kërcënimi i tij, ku shumë investitorë do të mendojnë se në Kosovë është më keq se në Gjeorgji, se në Ukrainë e shumë vende të tjera që tashmë Kosovën po e raportojnë si një vend shumë i keq për investime”, tha për Telegrafin, Shahini.
Sipas tij, institucionet e vendit duhet të janë unike në fuqizimin e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës pas pavarësisë është hera e dytë që po e tregon fuqinë e vet, institucionet e vendit duhet të jenë unike kundër kësaj ofensive edhe të Bashkimit Evropian kundër Kosovës e lërë më vetë Serbisë. Është koha të fuqizojmë shtetësinë e Kosovës, veprimet e Kosovës, por edhe qytetarët e vendit tashmë duhet ta kuptojnë se ne kemi të bëjmë me një politikë kundër Kosovës”, tha ai.
Kundër heqjes së taksës 100 për qind ka qenë kryeministri Ramush Haradinaj, duke paralajmëruar edhe veprime tjera që mund të ndërmerret karshi Serbisë.
Haradinaj ka ripërsëritur qëndrimin e tij se taksa ndaj produkteve të importuara nga Serbia, do të mbetet derisa Serbia ta njoh shtetësinë e Kosovës.
“Ky vendim mund të mbetet aq gjatë sa Serbia ta njeh Kosovën dhe të zbatohen të gjitha marrëveshjet tjera. Të shërbej taksa që po jemi zgjuar, dhe se ky është vendim i Kosovës dhe se Kosova e ka marrë këtë vendim sepse nuk ka pasur zgjidhje tjetër”, kishte thënë Haradinaj në Konventën e Parë të Prodhuesve të Kosovës, shkruan Telegrafi.
Ai ka inkurajuar prodhuesit kosovarë për krijimin e lidhjeve të bizneseve për promovim të produkteve vendore dhe potencialin ekonomik në vend dhe sipas tij, shitja e disa prodhimeve vendore pas taksës janë rritur deri në 20 për qind.
“Ne kemi për qëllim zvogëlimin e importit të produkteve ose zëvendësimin e produkteve nga importi me produktet tona. Taksa 100 për qind nuk duhet parë si mundësi për rritje të çmimeve por për të rritur prodhimin dhe cilësisë, por mbështetje për prodhuesit. Prodhimi i blloqeve për ndërtim është rritur për 20 për qind, përpunimi i letrës higjienike për 40 për qind, kemi rritje të theksuar të prodhimit të lëngjeve, vajit, ujit, mishit të pulës për 10 për qind po ashtu edhe prodhimi i barnave është rritur për 10 për qind”, ka thënë ai në panairin e agrobiznesit “Shporta jonë” që po mbahet në Prishtinë.
Haradinaj ka shtuar se është rritur konsumimi i prodhimeve vendore, që prej vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.
“Në sektorin e prodhimit janë 829 ndërmarrje të reja ose 14.5 për qind më shumë, ndërsa në sektorin e informacionit janë regjistruar 377 të reja ose 12.9 për qind më shumë”, ka thënë Haradinaj.
Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në konferencën ‘Java e CEFTA’-së që po mbahet në Prishtinë, ka theksuar se Kosova që nga viti 2007 është përballur me barriera tregtare që i janë vendosur nga vendet fqinje e në veçanti nga Serbia.
“Është viti 2018 dhe ne ende kemi çështje të cilat i kemi ngritur në vitin 2007 dhe asnjë mekanizëm rajonal dhe evropian nuk i ka zgjidhur dhe kjo ka shtyrë bizneset që të jenë shumë kundër përfshirjes tonë në CEFTA ose edhe me kërkesa radikale për dalje nga CEFTA. Gjashtëdhjetë për qind e bizneseve nga Kosova nuk kanë pasur përfituar nga CEFTA”, ka thënë Rukiqi.