Kreu kroat i Mbrojtjes Civile, Damir Trut, iu drejtua publikut pas aksidentit tragjik të autobusit kosovar në Kroaci, nga i cili vdiqën 10 veta, të cilët ishin nisur nga Frankfurti për në Prishtinë. Ai tha se në autobus kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë autobusi.
“Kishte 67 pasagjerë dhe 2 shoferë në autobus. Për fat të keq, 9 pasagjerë dhe një shofer vdiqën”, tha Trut.
Ai theksoi se 44 persona që ishin brenda autobusit janë pranuar në spitalin rajonal, tetë prej të cilëve të lënduar rëndë. Ai tha se katër prej tyre iu nënshtruar operimit, ndërsa:
“44 pasagjerë u pranuan në spital në Slavonski Brod. Tetë prej tyre u plagosën rëndë, katër u operuan”, tha Trut, duke shtuar se ka pasur edhe fëmijë në autobus.
Ai tha se nuk mund të tregojë nëse ka edhe fëmijë në mesin e 10 të vdekurve.
Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samardzhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.
Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.