Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka ndarë një mesazh frymëzues nga Meksika, ku ndodhet trofeu i Kupës së Botës, i cili pas 39 ditësh garë intensive dhe emocionesh do t’i dorëzohet kampionit të ri të botës.
Ademi kujtoi se ky trofe prestigjioz kishte vizituar edhe Kosovën gjatë turit të tij ndërkombëtar, duke u ofruar tifozëve kosovarë mundësinë e rrallë për ta parë nga afër. Sipas tij, ky ishte një moment i veçantë për futbollin e vendit dhe një dëshmi se Kosova po bëhet gjithnjë e më e pranishme në hartën ndërkombëtare të futbollit.
“Le të shpresojmë dhe të punojmë brez pas brezi me përkushtim, profesionalizëm dhe vizion, që një ditë të jemi pjesë e ngjarjeve të tilla madhore. Futbolli është sporti ku ëndrrat bëhen realitet dhe ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë rrugën tonë drejt majave,” ka theksuar Ademi.
Mesazhi i kreut të FFK-së vjen si një thirrje për vazhdimin e investimeve në zhvillimin e futbollit, me synimin që brezat e ardhshëm të kenë mundësinë të konkurrojnë në arenën më të madhe botërore dhe ta përfaqësojnë Kosovën në ngjarjet më prestigjioze të futbollit ndërkombëtar.

