Turneu i organizuar në nderim të dëshmorit Ibrahim Uruqi është përmbyllur me sukses, ndërsa Futsal Bresalci është shpallur kampion mes 32 ekipeve pjesëmarrëse.
Ky triumf mori një vlerë të veçantë për faktin se fanellën e Bresalcit e veshën ish-lojtarë të klubit, të cilët sot janë futbollistë që përfaqësojnë me krenari Kosovën dhe Shqipërinë. Kthimi i tyre në klubin ku hodhën hapat e parë në futboll dëshmoi lidhjen e fortë me vendlindjen, klubin dhe komunitetin.
Për Bresalcin, ky nuk ishte vetëm një turne sportiv, por edhe një ngjarje përkujtimore në nderim të dëshmorit Ibrahim Uruqi. Në fushë, ekipi tregoi përvojë, përkushtim, talent dhe shpirt të lartë garues, duke arritur në fund të ngritë trofeun e kampionit.
Pjesë e ekipit të Futsal Bresalcit ishin: Bajram Ramadani, Lushi Qerimi, Jeton Rukovci, Ermir Kryeziu, Besart Berisha, Armend Aliu, Valmir Ramadani, Egzon Abazi, Kushtrim Syla dhe Bashkim Syla.
Organizatorët kanë shprehur mirënjohje për secilin prej tyre për kontributin e dhënë gjatë gjithë turneut, duke theksuar se çdo minutë e luajtur, çdo gol dhe çdo ndërhyrje në fushë ishte pjesë e një suksesi që do të mbetet në kujtesën e Bresalcit.
Turneu i parë, trofeu i parë dhe një kapitull i ri në historinë e Futsal Bresalcit. Brezi që e ngriti për herë të parë këtë trofe do të mbetet pjesë e historisë së turneut, duke e kurorëzuar këtë ngjarje me një sukses të veçantë dhe duke nderuar njëkohësisht kujtimin e dëshmorit Ibrahim Uruqi./Radio Star/

