Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Republika e Kosovës ka shënuar një zhvillim të rëndësishëm në fushën e diplomacisë së mbrojtjes, me akreditimin e atasheut të parë të Mbrojtjes në Mbretërinë e Belgjikës.
Sipas Maqedoncit, me fillimin e misionit të tij, nënkoloneli Faton Bekteshi do të përfaqësojë interesat e Kosovës dhe do të angazhohet në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me Belgjikën.
Maqedonci e ka cilësuar këtë si një moment historik për diplomacinë e mbrojtjes së Kosovës, duke theksuar se prania e atasheut do të forcojë dialogun strategjik, koordinimin institucional dhe bashkëpunimin profesional mes dy vendeve.
“Akreditimi i Atasheut të Mbrojtjes shënon një etapë të re në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, ka shkruar Maqedonci./Arbresh.info

