Zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, sot është paraqitur për herë të parë para Gjyqtarit të Procedurës paraprake në Tribunalin Special në Hagë.
Krasniqi e ka kritikuar ashpër cilësimin e Speciales për ish-ushtarët e UÇK-së “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, shkruan Reporteri.net.
Pasi mori fjalën shkurtimisht para Gjykatës Speciale në Hagë, Krasniqi u pa mjaft emocional e madje shpërtheu me lot teksa tha se ndaj tij është bërë një padrejtësi e madhe.
“Për mu është bë një padrejtësi e madhe do ta mbaj edhe këtë padrejtësi sepse populli ynë e ka një fjalë që thotë ‘njeriu është më I fortë se guri dhe atë që se ban guri e ban njeri’. Unë dhe populli im kemi mbajtë shumë padrejtësi dhe nuk kemi pasë nevojë për një tjetër padrejtësi.”, ka thënë Krasniqi duke e ndërprerë fjalinë në gjysmë pas emocioneve.
I emocionuar, ai foli për përpjekjen e UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Ai tha se Gjykata Speciale është adresa e akuza ndaj tij.
“Unë mendoj që adresa e qartë e krejt kësaj maskarade është në Beograd dhe mbështetësit e politikave të tyre kudoqofshin”, tha Krasniqi.