Si deputete, pavarësisht nga cila anë vjen, iniciativën për shtesat e fëmijëve, e përkrah me të gjitha forcat e mia, vetëm se kërkoj që prej numrit dyshifror prej 10 eurosh, dua të shndërrohet në numër treshifror, të paktën 100 euro për çdo muaj për çdo fëmijë. Nevojat për një fëmijë, në shumën prej 10 eurosh, nuk dalin as për një fundjavë, e lëre më për një muaj. Le të kujtojmë me dhembshuri se sa fëmijë nuk kanë fare para, e shumë të tjerë marrin vetëm 0.20 centë në shkollë, duke blerë një smok, apo një çokollatë të vogël nga 10 centë.
S’po flasim për kujdesin shëndetësor, dental, arsimor, zbavitës etj., që nuk mbulohen kurrë me 10 euro në muaj. Prandaj le t’i shtohet sa për fillim kësaj shume, edhe një zero (0) e dytë e të bëhet njëqind (100) euro.
Rrjedhimisht, unë si deputete, duke dashur të jap edhe një mesazh simbolik e të fuqishëm që shtesat për fëmijë të bëhen 100 euro, më 5 nëntor 2018, do të pyes zyrtarët e Spitalit Rajonal të Gjilanit, përkatësisht nga Reparti i Gjinekologjisë, të na njoftojnë se cila është foshnja e parë që është lindur më 5 nëntor nga ora e pas mesnatës dhe do t’ia dhurojë nënës së foshnjës 100 euro në shenjë simbolike për mirërritjen e fëmijëve dhe për t’i bërë apel shtetit tonë, që 10 euro janë hajgare, e 100 euro janë sadopak një lehtësim i pranueshëm i shtesave për fëmijë! Qofshin me mirëqenie të gjithë fëmijët e Kosovës e të botës!